E majta pjesë e pritjes zyrtare,uron qytetarët
Me rastin e Kurban Bajramit Myftinia e Elbasanit realizoi pritjen zyrtare. Ndonëse është symbol i një dite pajtimi, paqeje dhe solidariteti edhe sot politika festoi dhe uroi e ndarë sipas kampeve. I pari që uroi festën për besimtarët musliman ishte kreu i grupit parlamentar në PS, njëherësh drejtuesi politik i qarkut Taulant Balla, i cili shoqërohej nga prefekti i qarkut Spiro Maliqi, deputeti Florenc Spaho . Socialistët përcollën mesazhin e tyre për të gjithë besimtarët musliman.
Urimit për festën e Kurban Bajramit nuk i mungoi as kryebashkiaku i qytetit, Gledian Llatja, i cili për shkak të një angazhimi tjetër iu bashkua më vonë pritjes zyrtare. Z. Llatja uroi qytetarët elbasanas dhe tha se pandemia prej dy vitesh ka zbehur kremtimet festive.
Pavarësisht se ditë feste dhe përulje edhe sot politika në Elbasan festoi e ndarë. Më pas të majtët iu drejtuan teqes së “baba Xhemailit”, pasi edhe bektashinjtë zhvillojnë pritje me rastin e Kurban Bajramit.
Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike Gazment Bardhi nën shoqërinë e dy deputeteve Flutura Açka, dhe Zheni Gjergji kryetarit të PD-së në Elbasan Eugen Isaj dhe demokratëve të tjerë , morën pjesë gjithashtu në pritjen zyrtare të komunitetit musliman për të uruar festën. I pari përcolli urimin Bardhi e më pas deputetet Açka dhe Gjergji.
Për Bardhin zhvillimi i ceremonive veç e veç është thjesht për arsye axhende, pasi sipas tij urimi që ai përcjell sot nuk është si politikan, por si qytetar i thjeshtë.
Të pranishëm veç politikës në pritjen zyrtare ishin edhe përfaqësues nga besimet e tjera fetare, të cilët gjithashtu përcollën urimet e tyre.