Eltjana Sinanaj, nëna e së cilës muaj më parë ndërroi jetë në spitalin covid 2 në gjendje të mjerueshme, pasi ishte lënë pa ujë e bukë, endet dyerve të drejtësisë, me shpresën se sanitarja Tire Alldervishi do të ndëshkohet për krimin. Dalja nga qelia e sanitares dhe dërgimi i saj në arrest shtëpie nga gjykata e Tiranës, e ka tronditur shumë Etljanën.
”Është e pamundur edhe për mua, që fëmijët e saj të rrinë me të, të gëzojnë me të, dhe unë të shkoj të varri i mamit dhe të puth vetëm emrin e saj. Për mua dhe familjarët e mi dhe të afërmit e mi, është një vrasje me paramendim.” – thote ajo.
Etljana thotë se i dorëzoi prokurorisë prova të pakundërshtueshme se nënën e saj e lanë të vdiste, pasi nuk i dhanë asnjë shërbim. Ajo dyshon se Tirja nuk është fajtorja e vetme, por ka edhe bashkëpunëtorët.
“Dyshimi është në të gjithë stafin që ka qenë në atë kat, në pavionin e dytë, sepse Tirja ishte në pavionin e tretë, nuk kishte të bënte fare me mamin tim.”
Mes lotësh ajo rrëfen se mori borxhe për të blerë edhe oksigjenin, vetëm e vetam që nëna e saj të përmirësohej, por më vonë kuptoi se sakrifica e saj nuk vlejti. Sot për të, vetëm një gjë ka rëndësi. Të gjejë drejtësi për vdekjen e nënës.
“Dua që ajo të marrë dënimin që meriton. Drejtësia të shkojë deri në fund për mamin tim. Sepse jo vetëm mami im, por askush nuk e meriton, atë që përjetoi mami im në atë spital.”
Eltjana thotë se askush nuk i kërkoi falje për vdekjen e nënës, madje as drejtori i spitalit nuk e telefonoi për ta ngushëlluar. Ndaj ka vendosur ta hedhë në gjyq këtë institucion dhe të kërkojë dëmshpërblim.
fax