Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) ka akorduar një financim me të cilin do të hartohet, studimi që dublon Autostradën Milot-Lezhë për ta bërë me katër korsi nga dy që është aktualisht.

Burimet zyrtare në Ministrinë e Infrastrukturës ne raportin e monitorimit janar-prill 2021 njoftuan se u “akorduan 259 milionë lekë për financimin e studimeve dhe projektimeve: Projekti i rrugës By Passi Elbasan, Dublim i rrugës Milot-Lezhë-Shkodër, rruga Vaqarr – Kavajë dhe Studim i fizibilitetit të autostradës Adriatiko – Joniane”.

Përmirësimi i infrastrukturës ekzistuese nga Miloti në Balldren ishte parashikuar nëpërmjet ndërtimit të autostradës Milot-Balldren me koncesion PPP.

Koncesioni, i cili pati një kontestim të lartë në opinionin publik dhe në grupet e ekspertëve për kostot e larta u pezullua gjatë vitit të kaluar me argumentin se kriza pandemike ndikoi negativisht të ardhurat buxhetore e për rrjedhojë Milot-Balldren nuk do të financohet. Më herët, dështimi i koncesionit dhe mosfinancimi i tij me fonde publike ishte lajmëruar edhe nga zyrtarë të lartë të qeverisë. Tani dy vite nga nënshkrimi i kontratës, ANK, kompania që ka fituar të drejtën e koncensionit ende nuk ka nisur punën.

Por nga ana tjetër, Ministria e Financave vazhdon ta kontabilizojë koncesionin Milot-Balldren në llogaritë fiskale të qeverisë edhe pse financimet shënohen me zero.

Veprimet e fundit të qeverisë për të financuar me fondet e veta një projekt që dublon aksin-Milot- Shkodër tregojnë se qeveria e anashkaluar financimin e koncesionit.

Aksi rrugor Milot-Shkodër është 55 kilometër i gjatë, dhe përshkohet aktualisht për rreth një orë. Zhvillimi i vrullshëm i turizmit në zonën e Shëngjinit dhe Velipojës, si rrjedhojë e arritjes së shpejtë të turistëve nga Kosova, rëndojnë trafikun gjatë sezonit turistik. Përveç trafikut, aksi nga Miloti në rreth-rrotullimin e Lezhës është një pikat e zeza me intensitetin më të lartë të aksidenteve në vend.

Investimet në autostradën e Kombit e kanë rritur trafikun në aksin e qendrës nga Miloti në Shkodër, nga Fushë-Kruja në Tiranë dhe në Durrës, ndërkohë që investimet e reja në këto zona mungojnë.

Dyshimet për koncesionin Milot-Balldren

Projekti PPP për ndërtimin e segmentit Milot -Balldren u iniciua pas një propozimi të pakërkuar të kompanisë shqiptare A.N.K dhe në tetor 2018, kompania A.N.K fitoi procedurën konkurruese për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Milot –Balldren, me vlerë ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 161.5 milionë euro. Pas një rinegocimi pa garë të interesave, vlera e kontratës u rrit në 213 mln euro pa TVSH, ose 256 mln euro me TVSH, për një gjatësi prej 17.2 km.

Debate lindën edhe për faktin se kompania fituese A.N.K nuk kishte kapacitetin për të ndërtuar një rrugë të përmasave të tilla. Ndërsa A.N.K premtoi të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, të dhënat zyrtare nga bilanci 2017 (një vit para se të fitonte kontratën) treguan se totali i aktiveve të saj është vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion euro. Kompania pretendoi seë do të merret një hua prej 70 milionë eurosh.

Baypass-i i Lezhës, ose ndryshe aksi Milot-Balldren, është pjesë e Autostradës Adriatiko -Joniane, projekt i cili është përzgjedhur për financim nga Nisma e Berlinit për shkak se, lidh Ballkanin Perëndimor me Korridoret Europiane. Në studimin e fizibilitetit, dokumenti zyrtar që ka Ministria e Infrastrukturës për autostradën Adriatiko – Joniane, Balldren-Milot e përllogarit me një kosto 141 milionë euro (pa TVSH), ose 177 mln euro me TVSH, të cilat vlejnë për ndërtimin e 17 kilometrave autostradë.

Por, më datën 7 nëntor të vitit 2018, në një mbledhje ku po diskutohej korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor, të administruara nga WBIF (The Western Balkans Investment Framework), u vendos që Shqipërisë t’i kërkohej të kthente 350 mijë euro që i kishte marrë për studimin e fizibilitetit për Bypass-in e Lezhës (Milot-Balldren) për shkak se qeveria shqiptare kishte vendosur dhënien e tij me koncesion të tipit PPP.

Edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) u tregua e ashpër ndaj projekteve me Partneritet Publik-Privat (PPP). “PPP-të e mëdha të diskutueshme vazhdojnë të jepen, veçanërisht në sektorin rrugor (për shembull seksionet Milot-Balldren dhe Orikum-Llogora), pa një nivel të mjaftueshëm të analizës kosto-përfitim dhe konkurrencë në procesin e tenderit. Kjo rrit koston e mundshme sociale dhe e ekspozon qeverinë ndaj rreziqeve të zbatimit, duke pasur parasysh gjithashtu mungesën e përgjithshme të të dhënave dhe situatën financiare të ofertuesve të zgjedhur, në raport me shkallën e projekteve të tenderuara”, tha BERZH./Monitor