Deri tani raportohet për dhjetë persona të vdekur dhe 45 të tjerë të plagosur ndërsa ende disa të tjerë gjenden në autobus ndërsa ekipet e shpëtimit po përpiqen të nxjerrin të mbijetuarit.
Autobusi ishte i kompanisë Deva Tours e cila pohoi aksidentin duke thënë se ende nuk ka një numër përfundimtar të viktimave. Deva Tours njoftoi se autobusi po udhëtonte nga Frankfurti i Gjermanisë me destinacion Prishtinën në Kosovë.
Ndërsa autobusi po udhëtonte në autostradën 3 në Brod të Kroacisë, ndodhi aksidenti fatal që shihni në foto dhe video më poshtë.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç ka reaguar pas aksidentit fatal të autobusit me targa kosovare në Brod të Kroacisë.
Plenkoviç shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.
“Me trishtim të madh morëm lajmin për aksidentin e një autobusi në rrugën afër Slavonski Brod, ku humbën jetën 10 persona. Ne jemi me familjet e viktimave dhe autoritetet e Kosovës, të cilëve u shprehim ngushëllimet tona më të thella. Shpresoj që pasagjerët e lënduar të shërohen.
Për shkak të aksidentit të tmerrshëm, unë fola me Ministrin e Brendshëm, Davor Bozinoviç dhe Ministrin e Shëndetësisë, Vilija Beros. Ministri Beroš dhe drejtori i mbrojtjes civile Trut u drejtuan për në Slavonski Brod për t’u njohur me të gjitha rrethanat e aksidentit dhe për t’u ofruar kujdes shëndetësor pasagjerëve të plagosur”.