Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar dhe ka nxjerrë për konsultim publik projektrregulloren “Për regjistrin elektronik online të shitjeve të kontratave të sigurimit të detyrueshëm”, duke reflektuar ndryshimet e kërkuara bazuar në ligjin e ri “Për sigurimin e  detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i procedurave të funksionimit, identifikimit dhe raportimit të të dhënave të shitjes së kontratave të sigurimit të detyrueshëm në Regjistrin Elektronik Online të Shitjeve. Në projektrregullore përveç reflektimit të ndryshimeve ligjore, në anekset e saj janë specifikuar të gjitha procedurat e shitjes dhe raportimit të kontratave të sigurimit, me qëllim zbatimin korrekt të tyre.

Në zbatim të ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” është reflektuar në rregullore detyrimi i “shoqërive të sigurimit, agjentëve/shoqërive të agjentëve që të plotësojnë të gjitha rubrikat e policës së sigurimit, duke përfshirë numrin e telefonit dhe adresën e e-mailit të pronarëve apo përdoruesve të mjeteve të listuar në policën e sigurimit TPL”. Kjo pasi këto të dhëna do të përdoren për të njoftuar pronarët e mjeteve të transportit 15 ditë përpara mbarimit të policës ekzistuese të sigurimit.

Rregullorja saktëson se polica e sigurimit identifikohet nëpërmjet numrit unik të gjeneruar automatikisht nga Regjistri dhe printohet në hapësirën përkatëse të policës. Ky numër unik duhet të fillojë çdo vit me dy shifrat e fundit të vitit aktual. Polica e sigurimit të detyrueshëm mund të verifikohet në faqen zyrtare të Autoritetit.

Në pjesën e fundit, rregullorja përcakton rastet e shkeljeve dhe sanksionimet përkatëse. Kështu, rastet e evidentimit të policave të sigurimit të detyrueshëm të paidentifikuara, me numrin unik në Regjistër, rastet me numër identifikimi të dubluar, rastet me numër identifikimi jo korrekt, rastet e verifikimit të ndryshimeve të të dhënave të raportuara në krahasim me ato të printuara, rastet e cënimit të sigurisë së sistemit, përbëjnë shkelje të dispozitave ligjore në fushën e sigurimeve.

panorama