Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitje për djalin e Azem Hajdarit dhe mikun e tij Ergi Gjumsi. Azem Hajdari (junior) u arrestua pak ditë më parë në aksin Elbasan- Metalurgji ku iu gjet një sasi prej 8.8 gramë lëndë narkotike hashash e sekuestruar nga policia e Elbasanit.
Ai shoqërohej nga miku i tij Ergi Gjumsi dhe një vajzë , ndërsa destinacion mësohet se do të kishin Pogradecin ku do të kalonin fundjavën. Vec sasisë së lëndës të gjetur në mjet në një cantë, nje cigare me përmbajtje hashash mësohet se Hajdari ka pasur edhe në xhepin e pantallonave. Për shkak se Azem Hajdari, është në vitin e fundit të shkollës dhe për shkak se ende, prokuroria nuk është njohur me rezultatet e akteve të ekspertimit-biologjik, prokurori Ritvan Sukaj ka kërkuar caktimin e masës së “arrestit në burg” me afat 1 mujor.
Por pasi u njoh me materialet gjyqtari Taulant Tafa vendosi një masë më të zbutur atë të detyrim për paraqitje. Në fakt ishin pergjimet ambientale të cilat rënduan pozitat e djalit të ish-gjyqtares së Apelit Tiranë, Fatmira Hajdari.
Përgjimet zbuluan se sasia prej 8.8 gramë lëndë narkotike hashash e sekuestruar nga policia e Elbasanit, i përket Azem Hajdarit junior. Pavarësisht se Azem Hajdari në momentin e shoqërimit ra në ujdi me shokun e tij, Ergi Gjumsi, për të marrë ai përsipër posedimin e lëndës narkotike, hileja e Hajdarit është zbuluar nga policia, pasi kjo bisedë mes dy shokëve është përgjuar nga oficerët e policisë.