Eksperti i Ekonomisë Sherefedin Shehu, në një intervistë për gazetaren e Fax News, Mirilda Tili, ka komentuar takimin më të fundit mes liderve të 3 shteteve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të nismës së minishengenit, apo siç u quajt ndryshe edhe ”Ballkani i Hapur”.
Shehu tha se vendeve të rajonit nuk u kanë munguar ndonjëherë marrëveshjet në letër, por zbatimi i tyre, dhe shtoi se këto marrëveshje nuk do të nxitin tregtinë e lirë sa kohë që mungojnë projektet konkrete.
“Teknikisht nuk ka nevojë për m,arrëveshje, pasi ka marrëveshje në fuqi për tregtinë e lirë në Europën Juglindore, siç është CEFTA. Marrëveshjet formale nuk nxisin tregtinë e lirë, mungon praktika e projekteve, që ti bëjnë të zbatueshme marrëveshjet kuadro.
Për të mos e bërë gjithçka të zezë, bashkëpunimi rajonal është i vlefshëm, fakti që nuk janë të pranishme të gjitha vendet e Ballkanit, nënkupton që ky proces është më së shumti politik, dhe do të ketë pak efekt në ekonomi”, tha Shehu, i cili shtoi se fajtorë për vonesat e integrimit në BE janë vetë vendet e BP, të cilat njihen për nivelin e lartë të korrupsionit dhe mungesës së llogaridhënies.
“Problemi i Ballkanit Perëndimor është fakti se ka korrupsion të lartë, mungesë të llogaridhënies, që ndikojnë dhe në aspektin ekonomik, pas 30 vitesh këto vende ende nuk janë bërë pjesë e BE, për shkak të problemeve të brendshme, dhe mënyra politike e zgjidhjes së tyre.
Dominon mentaliteti i vjetër bolshevik, ku Serbia është e ndarë mes BE-së dhe Europës, dhe ku kanë dominuar konfliktet, Ballkani nuk ka pasur burra shteti të cilët të bëjnë të mundur realizimin e synimeve që deklarohen nga liderët politikë“, tha Shehu.
Ish-zv ministri Shehu tha se Ballkani i Hapur po përdoret politikisht nga drejtuesit e vendeve të Ballkanit, dhe mbledhjet janë bërë kur liderve iu duhet diçka për të hequr vëmendjen nga problemet e brendshme.
Sipas Shehut, edhe pse Minishengeni ka 3 vite që ka nisur të aplikohet si ide, efektet në ekonomi nuk janë ndjerë. Edhe në rast se marrëveshjet do të aplikoheshin, ato sipas tij do të favorizonin shtetet e tjera, që kanë një ekonomi më e shëndoshë se e Shqipërisë.
“Është një akt politik më shumë sesa një akt përgjegjshmërie. Shqipëria ka një lidhje me Kosovën, e cila është materializuar në një numër të madh marëveshjesh që janë pothuajse 100, që zbatimi i tyre pothuajse është zero.
Minishengeni ka të paktën 3 vite që ka filluar, dhe nuk ka dhënë rezultate, të gjitha problemet janë në vendet e Ballkanit dhe jo në BE. Kanë bërë një sërë projektesh, posaçërisht për integrimin e vendeve të Ballkanit, të cilat nuk e kanë kuptuar ende se bashkim nuk do të thotë dalje televizive e liderve, por projekte konkrete, gjë që mungon.
Shqipëria është e fundit në rajon sa i takon intestimeve të huaja për frymë, ndërkohë që Serbia ka 8 herë më shumë. Serbia ka një standard ekonomik më të lartë, ndërkohë që dhe Maqedonia dhe Mali i Zi janë shumë më lart se ne në mënyrën e të bërit biznes”, përfundoi Shehu gjatë intervistës.
fax