Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se ndryshimet në kontratën koncesionare me “Tirana International Airport” parashikojnë ulje të tarifave për pasagjerët, investime në vlerën 99.350 milionë euro si dhe shtim të nivelit të sigurisë së operimit dhe kapacitetit.

Gjatë diskutimit të kontratës së kalimit të aksioneve nga investitorë të huaj te shoqëria shqiptare “Kastrati Group” në Komisionin e Ligjeve, Balluku tha se një tjetër element shumë i rëndësishëm i arritur në këtë kontratë është vendosja me nene përkatëse e penaliteteve në vlerë monetare e deri në heqje të së drejtës së koncesionit ndaj shoqërisë, nëse nuk realizon angazhimet e marra në kontratë.

“Investimi në infrastrukturën e aeroportit parashikohet me fonde 100% të shoqërisë
koncesionare, investim, i cili arrin mbi 99 milionë euro. Përcaktohet ulja e vlerës ekonomike të biletës për qytetarët që do të fluturojnë nga dhe drejt këtij aeroporti, duke reduktuar tarifat me 20% (per te rriturit) dhe 40% për fëmijët”, deklaroi Balluku.

Po ashtu, thksoi ministrja, shteti përfiton në fund të kontratës shndërrimin e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, që do të operojë avionë të kategorisë 4E, një kategori më e lartë se ajo aktuale 4D, duke bërë të mundur për herë të parë lidhjen e drejtpërdrejtë me shtete, të cilat janë konsideruar strategjike për zhvillimin e ekonomisë së vendit.

“Për herë të parë shteti shqiptar ka përforcuar pozitat e tij maksimalisht në këtë koncesion. Në kontratën e koncesionit të parë, investimi fillestar nuk ishte shprehur kurrë, nuk ishte shkruar një shifër financiare, thjeshtë thuhej se koncesionari do të zbatojë një masterplan në disa faza. Ky ishte një nga koncesionet më të rëndësishme, ishte porta e hapur e Shqipërisë për botën dhe ishte lejuar të sillej si të donte në Republikën e Shqipërisë“, tha ministrja Balluku.

Ministrja vuri në dukje se fakti që aksionet po kalonin nga një partner te një tjetër dhe ligji e bën të detyrueshme aprovimin nga shteti të këtij kalimi, kështu që shtetit iu dha rasti të ndërhyjë për të rregulluar këtë kontratë në favor të qytetarit dhe shtetit.

“Shtyrja në kohë e afatit të koncesionit është e mirëanalizuar si nga ana financiare edhe ajo juridike duke marrë në konsideratë edhe pandeminë, e cila do të afektojë këtë sektor për rreth 7-8 vite. Po ashtu, rritet siguria kombëtare e cila është kompromentuar disa herë në këtë aeroport”, tha Balluku.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj duke vlerësuar marrëveshjen e arritur pas negociatave tha se lajmi I mirë është se tarifat për pasagjerët do të pësojnë ulje.

Sipas ministres, në kontratën e re të gjitha problematikat e nxjerra në raportin e BDO-së janë adresuar.

“Investimi i parashikuar është në të njëjtën linjë edhe me raportin e BDO Albania dhe BDO Consulting, të janarit të vitit 2019, raport ky i kërkuar dhe i kontraktuar nga qeveria shqiptare për të analizuar pozitën ekonomike të koncesionarit të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”. Referuar këtij raporti, është konstatuar një disbalancë ekonomike. Kjo disbalancë ka ardhur si rezultat i një mospërputhjeje mes skenarit bazë të parashikuar dhe gjendjes faktike të veprimtarisë ekonomike të TIA-s, mbi bazë të të cilës aktiviteti ekonomik i kësaj të fundit, që prej fillimit të periudhës koncesionare deri në 31 dhjetor 2017, ka qenë më i lartë se ai i parashikuar e, për rrjedhojë, qarkullueshmëria monetare ka qenë më e lartë“, tha Denaj.

Ky projektligj rregullon marrëdhënien e shtetit shqiptar me shoqërinë koncesionare për një nga asetet më të rëndësishme e strategjike të Republikës së Shqipërisë, aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Marrëveshja e koncesionit “Për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë”, është ratifikuar në vitin 2004.

Në vitin 2005, kohë e cila përkon edhe me fillimin e operimit të marrëveshjes së koncesionit, në aeroportin e Rinasit trajtoheshin rreth 785 mijë pasagjerë në vit. Menjëherë pas realizimit të investimeve të para dhe implementimit të politikave të tërheqjes së kompanive ndërkombëtare të fluturimeve, numri i përpunimit të avionëve dhe pasagjerëve u rrit ndjeshëm.

Në vitin 2019, që përkon edhe me vitin më të suksesshëm të operimit të objektit të kontratës, aeroporti i ofroi shërbime me shumë se 3.3 milionë pasagjerëve, duke u konsideruar nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare vlerësuese, si një portë modeme për vendin, duke ndryshuar imazhin e Shqipërisë.

Që nga viti 2005, më shumë se 70 milionë euro janë investuar në zhvillimin e zgjerimin e aeroportit. Amendimi i parë i kësaj marrëveshjeje daton me 1 prill 2016.

Në këtë datë, qeveria shqiptare dhe TIA nënshkruan një amendament të marrëveshjes së koncesionit, duke ndërmarrë një hap shtesë të konsiderueshëm drejt zhvillimit të transportit ajror dhe liberalizimit të fluturimeve ndërkombëtare në Shqipëri.

Si rezultat i këtij ndryshimi, afati i koncesionit të TIA-s u zgjat për dy vite të tjera shtesë, përkatësisht deri në prill 2027.

atsh