Në punë për ndeshjen e fundjavës me Bylisin, të përqendruar te gara për titullin, por edhe në festë për 75-vjetorin e themelimit. Te Partizani kanë arsye të krenohen. Më 4 shkurt të vitit 1946 nisi një histori suksesi, me klubin e kuq që mori formë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.

Skuadra mori emrin në nder të partizanëve që luftuan për të çliruar vendin, ndërsa historia nisi menjëherë me sukses, duke fituar titullin kampion në vitin 1947, në pjesëmarrjen e parë historike në një turne zyrtar. Partizani fitoi edhe dy kampionatet pasardhëse, me klubin që në total ka fituar 16 tituj, i fundit në vitin 2019, pas çerekshekulli pritje.

Mes 18 trofeve të tjerë kombëtarë, të kuqtë kanë fituar edhe 15 Kupa të Shqipërisë.

Partizani është i vetmi klub shqiptar që ka triumfuar në një turne ndërkombëtar, pasi në vitin 1970 u shpallën edhe kampionë të Ballkanit. Për vlerat që përfaqësojnë, duke qenë skuadra me më shumë tifozë të shpërndarë gjeografikisht në vend, të kuqtë janë vlerësuar edhe me titullin “Nderi i Kombit” si edhe “Legjenda e Futbollit Shqiptar”.

Edhe pse prej pandemisë, të kuqtë e kanë të pamundur të gëzojnë me tifozët në sheshe apo tribuna, festa duhet të shërbejë si motivim për të synuar që edhe ky sezon të mbyllet me sukses. Pavarësisht se Vllaznia kryesuese e kampionatit mbetet 9 pikë larg, pas afrimeve të bujshme në merkaton e janarit, të kuqtë besojnë se titulli është një objektiv i arritshëm.

A2