Sipas medias greke Protothema, biznesmeni rumun Dragos Savulescu është arrestuar bashkë me një person tjetër në ishullin e famshëm, ku ka shpenzuar shifra marramendëse në restorante dhe jahte. Ndërkohë detaje të tjera nuk bëhen ende të ditura. Thuhet se për kapjen e tij u përfshinë zyrtarët e Nën Drejtorisë së Policisë së Mykonos.
Kujtojmë se në fillim të vitit 2019 Dragoș Savulescu, u dënua me 5.5 vjet burg, për përfshirjen e tij në një skandal të madh ekonomik në Rumani së bashku me ish-kryebashkiakun e Konstancës, Radu Mazare, Cristi Borcea dhe të pandehur të tjerë që u shpallën fajtorë për përvetësimin e një totali prej 114 milionë eurosh.
Pas vendimit të autoriteteve gjyqësore, ai u arratis në Itali, konkretisht në Napoli, për t’u arrestuar përfundimisht ditën e djeshme në Mykonos nga Rojet Bregdetare, të cilët së bashku me zyrtarët e Nën Drejtorisë së Policisë së Mykonos organizuan një operacion të madh për arrestimin e tij.
Urdhri i arrestit për Savulescu u lëshua nga Interpoli me kërkesë të autoriteteve rumune për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe për mashtrim kundër shtetit. Ai u dërgua te Prokurori i Apelit i Syros për ekstradim tek autoritetet rumune. Savulescu nuk i rezistoi arrestimit.