Pesha e industrisë agroushqimore në prodhimin e brendshëm bruto është më e ulët se në vitin 1996. Taksat, kostot e larta të transportit të lëndëve të para dhe mungesa e subvencioneve nga shteti konsiderohen faktorët kryesorë që disa industri të prodhimit agroindustrial kanë ulur peshën në treg, në raport me importet. Po çfarë zgjidhje rekomandojnë shoqatat e prodhimit dhe të eksportove? Në cilët sektorë po përcaktohen hapat konkretë që do të merren për të ardhmen nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural?
Tingëllon pak paradoksale, por pesha e pesha e industrisë agroushqimore në prodhimin e brendshëm bruto (PBB) në vitin 2019 ishte më e ulët se në 1996-n. Ndonëse Shqipëria është vendi më bujqësor në Europë, me 19% të ekonomisë, përpunimi i këtyre produkteve është i kufizuar.
Pesha në PBB e prodhimit të produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit ishte më pak se 1% e PBB-së në 2019-n, sipas INSTAT, nga 1.12% në 2016-n. Rritja e vazhdueshme e konsumit në vend dekadën e fundit, në shumë raste ka favorizuar importuesit, teksa hapja e tregjeve nuk i ka bërë bizneset shqiptare më konkurruese, përkundrazi i ka lënë ata zbuluar përballë tregjeve të huaja.
Ndonëse prodhimi në shumë sektorë të agroindustrisë është rritur vitet e fundit, në disa prej tyre dominimi i importeve është zgjeruar. Industria e birrës, verës, përpunimit të qumështit, prodhimi i miellit, përpunimi i vajit etj, kanë parë një rënie të peshës së prodhimit vendas.
Për birrën dhe verën, prodhimi vendas është ndikuar negativisht për shkak të ndryshimeve fiskale, kostove të larta të prodhimit nga shtrenjtimi i çmimit të energjisë dhe ujit, si dhe mungesës së një rregullatori për të kontrolluar shitjen e produkteve të importit. Sipas prodhuesve, kjo i ka lënë terren importeve.
Nga viti 2017, në tregun vendas ka nisur edhe rënia e prodhimit të mishit të freskët të gjedhit. Ekspertët e blegtorisë nënvizojnë se rënia e numrit të gjedhëve ka ardhur nga mungesa e subvencioneve.
Ndryshimet fiskale të skemës së rimbursimit të TVSH-së në 2019 në sektorin e qumështit janë reflektuar në rritjen e importeve. Në 2019, importi i qumështit u rrit 23% në raport me vitin 2018, kur ende ishte në zbatim skema e vjetër e TVSH-së, sipas të dhënave nga doganat. Përpunuesit pohuan se shtrenjtimi i prodhimit vendas për shkak të TVSh-së po favorizon më tepër shitjen e qumështit të ambalazhuar, që vjen nga jashtë me çmim të ulët.
Te disa sektorë të agroindustrisë, prodhimi vendas ka pësuar rënie të lehtë, siç është rasti i miellit të grurit. Përfaqësuesit e kompanive më të mëdha të blojës nënvizuan se në fabrikat e tyre bluhet vetëm grurë importi, që për shkak të pandemisë, është shtrenjtuar. Cilësia e ulët e grurit vendas, për shkak të mungesës së subvencioneve të fermerit dhe çmimit të lartë e bën të pakonkurrueshëm për fabrikat e blojës. Për sektorë të tjerë të agroindustrisë, prodhimi vendas thuajse është mbyllur.
Fabrikat e rafinimit të vajit të papërpunuar (grexho) në vend pohuan se nuk funksionojnë më, për shkak të kostove të larta të transportit dhe taksave. Drejtuesi i kompanisë “Bomira”, i cili importon vaj të papërpunuar nga Bullgaria, pohoi se vazhdon ta rafinojë në Maqedoni, pasi është më e leverdishme nga taksat e ulëta. Në Maqedoni, vaji grexho i importuar nuk taksohet sipas çmimeve të referencës, siç ndodh në Shqipëri.
Presidenti i Shoqatës së Eksportuesve Shqiptarë, Alban Zusi, këshillon se në këtë situatë, qeveria duhet të kryejë analizë të veçantë për secilin sektor, për t’u dhënë zgjidhje problemeve që po has çdo zinxhir prodhimi. Shoqata e Prodhuesve jep disa rekomandime konkrete për zgjidhjen e problematikave të menjëhershme, siç janë kostot e larta të transportit, mungesa e punonjësve të kualifikuar dhe likuiditetit.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Milva Ikonomi, tha për “Monitor” se në mbështetje të prodhimit vendas janë marrë një sërë masash, si skemat subvencionuese dhe hartimi i programeve të reja ndërsektoriale.
Pesha e prodhimit vendas në treg, sipas sektorëve
Sipas të dhënave të INSTAT, nga viti 1996 deri në 2019, pesha që zë aktiviteti i produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) është ulur. Pesha më e lartë e sektorit u shënua në vitin 1996 me 1,12% në PBB, ndërsa në 2019 është 0,98%.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Milva Ikonomi, theksoi se përqindja që zë ky sektor në totalin e PBB-së, varet nga struktura, që do të thotë se pavarësisht rritjes së prodhimit dhe peshës së sektorit bujqësor, ka një rritje apo ulje në sektorë të tjerë.
“Referuar të dhënave administrative të sektorit të agroindustrisë në vite (krahasuar me vitin 2013) lidhur me sasitë e prodhimit vërehet rënie kryesisht në sektorin e: mishit të gjedhit të freskët; prodhimit të sallamit; prodhimit të miellit të grurit; ushqimit për kafshë; prodhimit të karameleve, çokollatave, llokumeve; prodhimit të rakisë.
Ndërkohë që rritje ka pasur në sektorët e: peshkut të tharë, të tymosur dhe të kripur; prodhimit të lëngjeve të frutave; prodhimit të vajit të ullirit; prodhimit të gjizës dhe gjalpit, kosit; prodhimit të brumërave; prodhimit të verës, etj”.
Ulet prodhimi i mishit të gjedhit
Nga viti 2017 në treg nisi rënia e peshës së mishit të gjedhit vendas. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2013, pesha e mishit vendas të gjedhit ishte 98%. Në 2017-n, mishi i gjedhit zinte 50% të peshës në treg dhe në 2020 arriti 16%. Eksperti i ekonomisë, Ervin Resuli, thotë se kjo ka ardhur nga rënia e krerëve të gjedhit, për shkak të mosmbështetjes së sektorit nga shteti dhe emigracionit.
“Sipas të dhënave të INSTAT, në 2019-n, numri i krerëve të gjedhit u tkurr 11% krahasuar me 2018, gjë që ndikoi te rënia e mishit të freskët të gjedhit. Edhe për këtë vit do të kemi rënie të mishit vendas, pasi çdo ditë ulet numri i krerëve të gjedhit.
Shumë të rinj janë larguar nga fshati në emigracion ose nuk e shohin si punë me leverdi. Mosha e tretë e ka të pamundur të menaxhojë punët e blegtorisë, pasi ato janë të vështira fizikisht. Skemat kombëtare të subvencioneve nuk e kanë në program mbështetjen e gjedhit për mish e për rrjedhojë, ky sektor nuk është në vëmendjen e Ministrisë së Bujqësisë.
Në anën tjetër, për shkak të pandemisë, u ul konsumi i mishit të gjedhit. Në ngjarje familjare dhe në turizëm, konsumi i mishit të gjedhit konsiderohet si produkt luksi dhe çmimi i tij është i shtrenjtë në treg. Në Tiranë, çmimi i shitjes së mishit të gjedhit varion nga 850 lekë/kg deri në 1,200 lekë/kg për shkak të kostos së lartë të lëndëve të para ushqyese të kafshëve siç janë misri, soja, elbi, vitaminat, jonxha e thatë etj.”.
Shtrenjtimi i grurit të importit ka rritur kostot e fabrikave të blojës
Prodhimi i miellit të grurit në vend, në vitin 2020 pësoi rënie të lehtë krahasuar me 2019. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi i miellit të grurit vitin e kaluar ra 1.6% në raport me 2013. Adi Haxhiymeri, zotëruesi i fabrikës “Bloja”, tha se industrialistët vendas bluajnë vetëm grurë të importuar.
Sipas tij, gruri vendas bluhet vetëm për nevoja konsumi nga fermerët dhe për shkak të mungesës së ekonomisë së shkallës nuk blihet nga industrialistët. Rënia e prodhimit të miellit ka ardhur për shkak të çmimit të lartë të shitjes së grurit në tregjet e huaja.
“Çmimi i grurit të importit është shtrenjtuar në të gjitha vendet e botës. Në muajin tetor, gruri u shit 220 dollarë/ton. Aktualisht, në prag të të korrave, çmimi i grurit është 305 dollarë/ton. Nga janari i 2021, çmimi i grurit është rreth 30% më i lartë se vjet, për shkak të kërkesës së lartë në tregun global. Edhe pas heqjes së taksave nga Rusia, çmimi mbeti i pandryshuar.
Nuk kemi ndonjë shpresë se çmimi do të ulet. Kjo ka shtuar kostot e prodhimit të miellit. Nga ana tjetër, në të gjitha fabrikat më të mëdha të blojës në vend, lënda e parë sigurohet nga importi. Prodhimi vendas është me cilësi të dobët, për shkak të mungesës së subvencioneve dhe shitet me çmim më të shtrenjtë se importi. Për grurin vendas mbetet problem edhe parcelizimi i tokave, ku secili fermer prodhon sasi të vogla dhe me standarde të ndryshme cilësie. Sa është prodhimi i grurit të një fshati, aq është sasia e grurit që ne bluajmë në ditë në fabrikë”, pohon z. Haxhiymeri.
Prodhuesit e vajit të lulediellit kërkojnë heqjen e çmimit të referencave
Rafineritë e përpunimit të vajit të lulediellit në vend vazhdojnë të jenë të fikura. Kostot e larta të transportit dhe taksat për vajin grexho (të papërpunuar) mbeten faktorët kryesorë se pse kjo industri vijon të jetë e paralizuar.
Ylli Aliaj, importues i vajit të papërpunuar nga Bullgaria, pohon se vijon ta përpunojë vajin e lulediellit në rafinerinë e Maqedonisë. Në kompaninë “Bomira”, në Urën Vajgurore, bëhet vetëm ambalazhimi. “Situata ka për të vazhduar me vite nëse shteti nuk ndryshon mënyrën e taksimit të vajit të papërpunuar. Për vajin grexho në Shqipëri, duke qenë se nuk jemi vend anëtar i BE-së dhe kundrejt shteteve europiane, siç është Bullgaria ku furnizohemi me lëndën e parë, përdoren çmimet e referencës, të cilat janë në nivele shumë të gabuara.
Çmimet e referencës duhet të hiqen menjëherë, pasi janë abuzive. Në dogana nuk pranohet dokumentacioni i produktit të blerë në fabrikë, por iu referohen çmimit të bursës. Shumë fabrika prodhimi jashtë nuk janë të regjistruara në Bursën e Reuters-it që iu referohen administrata doganore.”
Drejtuesi i kompanisë “Bomira” thotë se për të është më e leverdishme që vajin e lulediellit ta përpunojë në Maqedoni, pasi taksimi nuk bazohet mbi çmimet e referencës dhe TVSH-ja e produkteve të shportës është 5%. “Në Shqipëri nuk prodhohet asnjë litër vaj luledielli. Të gjithë prodhuesit e vajit janë kthyer në ambalazhues, pasi nuk të leverdis ta përpunosh vajin në Shqipëri, për shkak të kostove të larta”.
Edhe Bajram Dine, përfaqësuesi i kompanisë “Vajra Bimore”, e cila tregton vaj luledielli me logon “Fiol”, pohoi se arsyet pse rafineria qëndron e mbyllur prej dy vitesh janë kostot shumë të larta të vënies në punë, ndërsa nga shteti prodhuesit nuk janë lehtësuar nga barra fiskale.
“Më parë jemi furnizuar me vaj grexho nga jashtë, por tani nuk importojmë më, pasi nuk jemi të mbrojtur. Ne kemi investuar miliona euro në fabrikë për rafinimin e vajit ushqimor të lulediellit, por nga shteti nuk ka asnjë lehtësi për prodhuesit. Detyrimet janë të njëjta si për atë që importon vaj të përpunuar edhe atë që sjell vaj grexho nga një vend i Bashkimit Europian”.
Vendet kryesore nga importohet vaji janë: Bullgaria, Hungaria, Serbia dhe Ukraina. Për këtë industri, cikli i mbyllur i prodhimit është i parealizueshëm për shkak të kostove të larta të transportit të vajit të papërpunuar dhe taksave të larta.
Përpunuesit e qumështit në vështirësi nga skema e TVSH-së
Importi i qumështit në 2019-n u rrit 23% në raport me një vit më parë. Sipas të dhënave të doganave në 2018-n, kur ishte në fuqi skema e vjetër e TVSH-së, importet ishin 3,763 tonë qumësht dhe në 2019, kur nisi zbatimin, skema importet ishin 4,898 tonë. Në 2020, për shkak të karantinës në shumë vende të Europës, importet shënuan rënie 24% krahasuar me 2019.
Përpunuesit e qumështit ngritën si shqetësim se ndryshimet në skemën e TVSH-së të 2019-s, rritën kostot e prodhimit vendas dhe po favorizojnë shitjen e produkteve të importuara. Me skemën e vjetër, vlera e kompensimit ishte 20%, ndërsa nga 1 janari 2019, është 6%, për rrjedhojë pagesa e TVSH-së nga blerësit është së paku trefish më e lartë (kompensimi është TVSH-ja e zbritshme për grumbulluesin e qumështit dhe deklarohet në periudhën tatimore kur është lëshuar fatura e blerjes së qumështit nga fermeri).
“Skema e TVSH-së po rrit shitjen e produkteve të gatshme të importit. Sot, në treg, qumështi i paketuar nga Maqedonia shitet 85 lekë/kutia, duke llogaritur koston e transportit, taksat doganore, me çmim më të ulët se qumështi vendas, që blihet 65 lekë me TVSH nga fermerët. Me këto kosto të larta dhe çmime shitjeje, nëse realizohet mini-Schengen, për hapjen e tregjeve rajonale, ne konkurrohemi direkt nga produktet e Serbisë dhe Maqedonisë”, pohoi më herët z. Sajmir Begaj, i kompanisë “Erzeni”.
Sipas përfaqësuesit të kompanisë “Lufra”, Luis Ndreka, shumë operatorë të vegjël të përpunimit të qumështit nuk arritën të mbijetonin për shkak të ndryshimeve fiskale. “Skema ka rritur koston e fabrikave, madje falimentoi edhe disa prej tyre. Për shkak të skemës në treg janë rritur edhe produktet e importuara të bulmetit. Produktet tona nuk janë konkurruese në rajon për shkak të kostos së lartë. Qumështi nga Serbia vjen me çmim më të ulët sesa shitet nga fermerët”.
Për këtë arsye, industrialistët propozojnë një skemë të ngjashme si vendet e rajonit, që TVSH-ja të faturohet e njëjtë si në blerje, ashtu edhe në shitje, në nivelet 6 ose 9%. Kërkesa pritet të shqyrtohet nga Ministria e Financave, me hartimin e buxhetit të vitit 2022.
Pesha e prodhimit të birrës vendase në treg në periudhën 2013-2020, sipas të dhënave të doganave, është ulur, në 47.8% në 2020-n, nga rreth 60% në 2015-n, sipas të dhënave nga akciza të raportuara nga Ministria e Financave. Kryetari i këshillit drejtues të birrës “Tirana”, Luan Bregasi thotë se dy janë arsyet e rënies së peshës së prodhimit vendas – kostot e shtuara për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektrike, akcizës, ujit etj., si dhe konkurrenca e pandershme nga ndryshimet fiskale të miratuara në 2012 nga qeveria “Berisha”, që nisën zbatimin në 2013.
“Nga viti 2013, dy kompani importuese të birrës shfrytëzuan në rrugë joligjore dispozitën e ligjit të akcizës, e rekomanduar nga Komisioni Europian dhe e përshtatur në legjislacionin shqiptar, që përcaktonte se industritë e huaja të birrës, që prodhojnë nën 200 mijë hektolitra, për importin të paguanin akcizë 15 lekë/litër nga 30 lekë/litër.
Përgjysmimi i akcizës rezultoi se po shfrytëzohej në mënyrë të pandershme prej dy kompanive importuese, pasi kapacitetet prodhuese të fabrikave të huaja ishin mbi 200 mijë hektolitra. Kjo do të thotë që në rrugë joligjore u favorizuan disa kompani, duke paguar gjysmën e akcizës. Me kërkesë të Shoqatës të Prodhuesve të Birrës Vendase, shkeljet ligjore u korrigjuan në 2019, por këto kompani fituan shumë epërsi në treg dhe vazhdojnë të mbizotërojnë.
Arsyeja tjetër që po favorizon shitjet birrës së importit janë kostot shumë herë më të larta të prodhimit të industrisë vendase, krahasuar me atë të importit të një produkti të ambalazhuar. Kostot e prodhimit vendas janë rënduar për shkak të çmimit të shtrenjtë të energjisë elektrike, të ujit, kostos së lartë për parapagimin e akcizës dhe pullës fiskale”, pohoi më herët Luan Bregasi.
Rritja e importeve eklipson prodhimin vendas të verës
Sipas të dhënave të Doganave, vera e importit zë 84% të produktit të konsumuar në 2020. Tendenca ishte e njëjtë edhe në vitin 2019. Nga totali i verës së konsumuar, 79% e zë importi.
Tendenca e importeve nga 2015 deri në 2019 është në rritje. Prania në treg e shumë markave të huaja të verërave dhe abuzimet me shitjen e tyre, po lënë në hije markat shqiptare, shprehet drejtuesi i fermës “Uka”. Sipas tij, në këto kushte është i nevojshëm zbatimi i një rregullatori nga shteti, në mbrojtje të prodhimit vendas.
“Një subjekt që prodhon verë prej 15 vitesh e ka të vështirë ta shesë atë në Shqipëri, pasi tregu dominohet nga importet. Në anën tjetër, në tregun e shitjes së verës së importit, ndodhin abuzime, të cilat duhet të kontrollohen nga shteti, pasi po lënë në hije prodhimin vendas. Tarifat doganore për importin janë shumë të ulëta, ndërsa procedurat për eksport janë të shumta, duke përfshirë edhe koston e lartë të marketingut.
Drejtori i përgjithshëm i kantinës së pijeve “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Denis Zhilla, theksoi se në tregun aktual, krahas prodhimit vendas të verës janë më shumë të pranishme verërat e importit, sidomos ato të Italisë, Francës, të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut e Kosovës etj. Sipas tij, zhvillimi i kësaj industrie në vend kërkon vëmendje të veçantë dhe paraqitet mjaft kompleks, për sa u përket varieteteve të rrushit të prodhuar në vreshtat shqiptare dhe gamës së pijeve, sipas varieteteve të hedhura në treg me brand name të ndryshme.
“Zhvillimi i industrisë së prodhimit të verës ushqimore synon plotësimin e shijes konsumatore me prodhime vendi. Si e tillë, kjo industri merr në konsideratë vreshtat, prodhuesit vendas (kantinat dhe fabrika), ofruesit e ambalazhimit dhe tregtarët lokalë.
Ndërkohë faktor shumë i rëndësishëm në treg mbeten, pa dyshim, importuesit e këtyre produkteve nga Italia, Franca, SHBA, Greqia dhe Kili, por dhe nga vendet e Ballkanit”, – pohon drejtori i përgjithshëm i kantinës së pijeve “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Rriten eksportet e fruta-perimeve dhe ujit
Deri në fund të vitit 2019, në tërësi, prodhimi industrial në Shqipëri, sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra, shënoi tendencë rritëse të eksporteve, me përjashtim të pijeve alkoolike.
“Rritja ishte te fruta-perimet, bimët mjekësore dhe kjo për shkak të zbatimit për dy herë radhazi të skemës së IPARD te fruta-perimet. Skema u krijoi mundësi prodhuesve që të kultivonin më shumë produkte, të rrisnin likuiditetin, kapacitetin e magazinimit të fruta-perimeve, të përpunimit dhe eksporteve.
Sektori favorizohet edhe nga prania e dy cikleve të prodhimit në Shqipëri, si: pranverë-verë-vjeshtë dhe verë-vjeshtë, duke kapur një cikël prodhimi nga marsi deri në nëntor, ndërsa vendet e tjera ballkanike nuk dalin dot me dy cikle prodhimi. Viti 2020 pati stanjacion për këtë sektor, por vazhdimi i IPARD dha mundësinë që ky sektor të kishte ecuri më të mirë se të tjerët në industrinë e përpunimit. Kërkesa e fortë, si dhe masat që u morën nga IPARD ia vlejtën.
Te pijet alkoolike dhe birrat nuk shfaqet e njëjta tendencë, sepse ato vuajtën problemin me tregtimin e brendshëm dhe të jashtëm, çka do të thotë që magazinat ishin plot, lokalet ishin bosh dhe nuk kishin tërheqje malli. Sektori i verës dhe birrës ankohet shumë, por edhe prodhuesit e tjerë të pijeve alkoolike, pasi masat kufizuese i penguan që të kishin ecuri si ushqimi”, thotë Shkodra.
Ecuri pozitive tek eksportet, sipas Shoqatës së Eksportuesve ka pasur edhe për sektorin e ujit, çimentos dhe hekurit, ndërsa prodhimi i metaleve me ngjyra pritet të kthehet në normalitet në 2022. “Uji dhe lëngjet e frutave patën tendencë pozitive, sektori i ujit ka rritur eksportet në tregjet e Arabisë, Lindjes së Mesme dhe Europë.
Si mund të rritet prodhimi, çfarë këshillojnë shoqatat
Për përfaqësuesin e Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë, z. Arben Shkodra aktualisht prodhuesit vendas po vuajnë tre problematika, si: mungesën e likuiditetit, mospasjen dhe largimin e punonjësve të kualifikuar, dhe rritjen e lartë të tarifave të transportit ndërkombëtar. Shoqata e Prodhuesve rekomandon për secilën prej tyre një zgjidhje konkrete.
“Së pari, për zgjidhjen e këtyre problemeve duhet të zhvillohet dialog mes qeverisë dhe biznesit. Për krijimin e likuiditetit është i domosdoshëm që menjëherë të ngrihet Banka Ekonomike e Zhvillimit, që është me fonde shtetërore dhe garanci të të huajve. Mund të menaxhohet nga institucionet ndërkombëtare, si BERZH apo Banka Botërore. Por duhet të jetë një bankë zhvillimore, që të garantojë, si instrumentet e garancive sovrane dhe fondet e grandeve për SME-të, bizneset e grave, start-up-eve dhe kompanive.
Për kualifikimin e punonjësve është i domosdoshëm që, në të ardhmen, të kryhet një rimodelim i arsimit profesional, i cili nuk duhet të jetë më shtetëror, por të jenë private sektoriale. Nga biznesi duhet të përcaktohet si duhet të jetë korniza e kualifikimeve, çfarë kërkesash duhet të plotësohen në të ardhmen, si dhe të vazhdohet për arsimimin e punëtorëve të kualifikuar, pasi edhe ata që janë po largohen nga Shqipëria. Për zgjidhjen e problemit të transportit duhet të lehtësohen taksat te sektori i përpunimit të brendshëm të kontejnerëve, taksat doganore dhe aeroportuale”, pohoi z. Arben Shkodra.
Për presidentin e Shoqatës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, masat në mbështetje të prodhimit, duhet të jenë sektoriale dhe të konsultuara me grupet e interesit. “Duhen krijuar grupe sektoriale të përhershme dhe të konsultohet me to marrja e masave.
Ndër të tjera duhet të zhvillohet edhe analiza makro brenda secilit zinxhir prodhimi, për të kuptuar se cili është problemi më i madh i krijuar. Për shembull, në sektorin e prodhimit të qumështit dhe mishit, problem është lënda e parë për kafshët. Atëherë, zgjidhja duhet të mendohet se si duhet të ulim koston e lëndës së parë për kafshët. Do të sjellim misrin nga Serbia me 50 – 60 euro transportin tokësor apo do ta sjellim me anije të mëdha.
Zgjidhje tjetër është edhe ngritja e dhomave të tharjes në zonat ku prodhohet misri, pasi është paraqitur si shqetësim mospasja e tyre që fermeri nuk prodhon. Për këto arsye, misri importohet nga jashtë. Por kjo rrit koston e përpunimit të qumështit, mishit dhe produkteve blegtorale. Në rastin e prodhimit të verës vendase, është e domosdoshme të kontrollohet çmimi i importit”. Drejtuesi i Shoqatës së Eksporteve shton gjithashtu se për disa masa mbështetëse ndaj prodhimit vendas, duhet të orientohemi nga tregu global ku aktualisht po ndodhin shumë lëvizje.
“Në rastin e prodhimit të vajit të lulediellit po krijohen monopole të fuqishme ndërkombëtare, të cilat po bllokojnë lëndën e parë, me qëllim rritjen e çmimit të vajit të lulediellit. Janë disa masa që nuk kanë të bëjnë vetëm me tregun shqiptar dhe politikëbërjen shqiptare. Por si do të reagojmë ndaj këtyre trendeve ndërkombëtare që siç duket do të zgjasin?
Kjo është një turbulencë botërore dhe në këtë periudhë është e domosdoshme të krijohen ekipe pune sektoriale, për marrjen e masave dhe zgjidhjen e secilit problem sektorial. Nëse grupet e mëdha të interesit në botë po mblidhen dhe po bëjnë marrëveshje, atëherë edhe ne duhet të bëjmë marrëveshje të mëdha brenda vendit për të amortizuar këtë situatë”.
Si do të ndihmohet prodhimi vendas nga shteti
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Milva Ikonomi, tha se deri tani janë ndërmarrë një sërë nismash në drejtim të mbështetjes dhe rritjes së konkurrueshmërisë së prodhimit vendas.
Ministrja e Bujqësisë renditi, si masa mbështetëse: subvencionimin nga buxheti i shtetit; lehtësitë fiskale: heqjen e TVSH-së për makinat bujqësore, si në import ashtu dhe brenda vendit; heqjen e TVSH-së për inputet bujqësore; akcizën e naftës për anijet e peshkimit; skemën e subvencionimit të naftës për fermerët; grantet nëpërmjet projekteve të huaja: IPARD, BERZH, Protokolli Italian, Qeveria Gjermane, etj; gjenerimi i të ardhurave nëpërmjet rritjes së konkurrueshmërisë së produkteve me skemat të cilësisë, si dhe nisjen e punës për hartimin e strategjisë së re ndërsektoriale për bujqësinë, zhvillimin rural dhe peshkimit 2021-2027, në të cilën do të përcaktohen hapat konkretë që do të merren për të ardhmen e sektorit.
Nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në mbështetje të prodhimit vendas zbatohen Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë, si: CEFTA, EFTA, me Turqinë, MSA dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut. Shqipëria është edhe anëtare e OBT-së.
“Në këto marrëveshje janë të përcaktuara tarifat preferenciale, kuotat, tarifat, lidhur me shkëmbimet tregtare për produktet bujqësore dhe ushqimore. Mbrojtja e prodhimit vendas është siguruar nëpërmjet vendosjes së kuotave për produkte të caktuara, ose çmimeve preferenciale”.
Ministrja Ikonomi theksoi se situata e krijuar nga pandemia nuk e preku shumë sektorin e bujqësisë. “Puna në këtë sektor vazhdoi dhe për vitin 2020, patëm rritje të prodhimit kryesisht te: pemët frutore, ulliri, perimet, misri, bimët aromatike mjekësore, prodhimi i rrushit, etj.”/Monitor