Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një konferencë për shtyp ka bërë një analizë të ecurisë së Kombëtares në kualifikueset e fundit, duke i cilësuar ato si më të suksesshmet në historinë e ekipit.
Ai u shpreh se, pavarësisht pritshmërive më të larta, skuadra ka zhvilluar një rrugëtim pozitiv, duke veçuar paraqitjet ndaj kundërshtarëve direkt dhe arritjen e objektivit për vendin e dytë në grup.Sipas tij, edhe përballja me Anglinë ka qenë e mirë, duke pasur parasysh nivelin e lartë të kundërshtarit.
Duka theksoi se rezultatet në dy ciklet e fundit kualifikuese janë historike, duke kujtuar vendin e parë në grup për Europianin dhe vendin e dytë për Botërorin, një arritje e paprecedentë për Shqipërinë.
Në fokus të deklaratës së tij ishte edhe e ardhmja e trajnerit Sylvinho. Kreu i FSHF bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë me të pas ndeshjes miqësore ndaj Ukrainës, duke theksuar se vendimi për vazhdimësinë i takon vetë trajnerit.
Sipas Dukës, Sylvinho është në një moment reflektimi, pasi roli i trajnerit kërkon energji të madhe dhe përballje me presione të vazhdueshme, përfshirë edhe menaxhimin e grupit të lojtarëve.
Ai bëri të ditur se trajneri i ka kërkuar kohë për të vendosur mbi të ardhmen e tij, ndërsa shtoi se Federata është e gatshme t’i ofrojë një kontratë të re nëse ai vendos të vazhdojë. Vendimi përfundimtar pritet të merret përpara ndeshjeve miqësore të muajit qershor.
Armando Duka: E dija që ky ishte interesi kryesor dhe po mendoja nëse duhet të thoja mendimin tim apo të prisja nga pyetjet tuaja. Në fakt ne prisnim më shumë dhe meritonim më shumë me atë që dhamë në Poloni. Kompeticioni ka qenë i mirë, kualifikueset në grup. Ka pasur edhe ndeshje në të cilat nuk ishin në pritshmëritë tona. Gjatë rrugëtimit të kualifikuese ka pasur një paraqitje të mirë kundër kundërshtarit direkt, sepse ky ishte edhe objektivi ynë, të dilnim të dytët në grup. Anglia, një kundërshtar që jo vetëm ne, por shumë kundërshtarë në Europë e kanë të vështirë, në Tiranë paraqitja jonë ishte e mirë.
Kualifikueset për mua janë të suksesshme dhe nëse do ta shtyj pak më tej për ta lidhur me trajnerin apo stafin, të dyja kualifikueset janë më të mirat e historisë së Shqipërisë. Kualifikueset për Europian, vendi i parë në grup dhe kualifikueset për në Botëror, vendi i dytë në grup, gjë që s’ka ndodhur asnjëherë më parë. Padyshim që dëshironim, e kishim ëndërr të shkonim në Botëror. Mund të shkonim nga ajo ndeshje, të paktën ta provonim edhe në Stokholm. Fati nuk na buzëqeshi.
Duke u nisur nga kjo mini-analizë, unë kam biseduar me trajnerin e ekipit Kombëtar direkt pasi u kthyem nga ajo ndeshje miqësore me Ukrainën, ku të gjithë ishim të ‘plagosur’. I kam thënë të njëjtat gjëra. Rrugëtimi ynë ishte pozitivë. Por një trajner e ndjen vetë nëse e udhëheq vërtet një skuadër. Pozicioni i trajnerit të konsumon. Dihet që futbollistët nuk thirren dhe nuk janë të lumtur. Të ruash balancat dhe të kesh fuqi sërish e ndjen më shumë ai që është në timon. Unë besoj se e kam detyrim që të jem transparent për të gjitha gjërat dhe po i them bisedat me trajnerin. Ai më ka pyetur: ‘Se e mendon ti?’. Në këndvështrimin tim i kam thënë që ke energji akoma. Ai do të marrë kohën për ta menduar këtë gjë dhe do të më japë një përgjigje. Nëse ai më thotë që ka energji, atëherë ne do i japim një kontratë të re. Por ne këtë gjë do e vendosim përpara miqësoreve të qershorit.






