Jemi vetëm pak javë larg lançimit të serisë së re të smartphone-ve nga Apple dhe sapo mësuam një shërbim të ri që mund të ofrohet në iPhone 13.
Ming-Chi Kuo, një analist mjaft i njohur i Apple pretendon se iPhone 13 mund të vijë me mundësinë për të kryer telefonata përmes lidhjes që do të kenë me satelitët. Ditën e hënë Mark Gurman nga Bloomberg raportoi se Apple po zhvillon disa shërbime emergjence që mbështeten vetëm në lidhjet me satelitët dhe tha se këto shërbime me shumë mundësi do të jenë gati që me lançimin e serisë së re.
Ajo që ne mund të kuptojmë nga lidhja e iPhone 13 direkt me satelitët është se përdoruesit do të kenë mundësinë të komunikojnë me telefonata dhe nëse ato nuk kanë një kartë SIM të vendosur në smartphone-in e tyre. Satelitët më të njohur që gjenden në orbitën e ulët të Tokës janë ato Starlink të Elon Musk, mirëpo Apple ka vendosur të bashkëpunojë me kompaninë Qualcomm.
Besohet se këto raportime janë shumë të sakta pasi dhe vlera në treg e kompanisë Globestar u shumëfishua gjatë periudhës kur u tregua se proçesori X65 i Qualcomm do të suportonte teknologjinë n53. Nuk përjashtohet dhe mundësia që Apple të jetë duke krijuar një rrjet privat me këtë kompani.