50 mijë doza të vaksinës me emrin “Covishield” janë dorëzuar nëShqipëri, sipas konfirmimit nga një përfaqësi e huaj në Tiranë dhe përgjigjes zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo vaksinë rezulton se është prodhim dhe po përdoret në Indi dhe në vendet e Afrikës, por nuk është autorizuar nga EMA dhe FDA, edhe pse pretendohet se është një variant i ngjashëm i vaksinës AstraZeneca.
Ministria e Shëndetësisë ktheu më në fund përgjigje zyrtare për numrin e vaksinave (sipas kompanive prodhuese), të mbërritura në Shqipëri që nga nisja e procesit të vaksinimit.
Kërkesa për informacion i ishte dërguar këtij institucioni në kuadër të një shkrimi (botuar më 26 gusht) ku Faktoje raportoi se qeveria zbardhi më në fund kontratën për blerjen e kontigjentit të vaksinës Coronavac dhe atë Sputnik V, duke lënë ende pa transparencë blerjen e vaksinave Pfizer BionTech. Ndaj u kërkua nga Ministria e Shëndetësisë numri i dozave të vaksinave të mbërritura, të ndara sipas kompanive prodhuese.
Ministria e Shëndetësisë, në përgjigjen e kthyer në 7 shtator konfirmon se nga nisja e vaksinimit deri në atë datë, kanë ardhur 1.950.540 doza vaksinë.
Përgjigjja nga Ministria e Shëndetësisë
Nga kontigjenti total prej 1.950.540 dozash vaksine anticovid, 1 milionë janë Coronavac, prodhim që deri më sot nuk është autorizuar nga instutucionet kompetente si EMA dhe FDA.
Më pas vijnë:
540.540 doza Pfizer
300.000 doza Astra Zenneca
60.000 doza Sputnik V
50.000 doza Covishield
Në përgjigjen zyrtare na tërhoqi vëmendjen raportimi mbi vaksinën me emërtimin Covishield, i papublikuar më parë nga autoritetet zyrtare.
50.000 dozat e vaksinës Covishield rezultojnë të kenë ardhur pas një marrëveshjeje me Indinë, informacion që Faktoje e siguroi nga kërkimi se cilat shtete njohin vaksinat e injektuara në Shqipëri.
Sipas përgjigjes së një përfaqësie të huaj në Tiranë, rezulton se Shqipëria ka bërë një marrëveshje dypalëshe me Indinë për 50.000 doza të vaksinës Covishield, të cilat janë dorëzuar tashmë në formën e donacionit.
“Nëse shkoni në Panelin e Tregut të UNICEF Covid-19 dhe klikoni në skedën e dërgesave, do të shihni që Shqipëria ka marrë gjithsej 143.400 doza vaksinë (Astra Zenneca) përmes Covax. Nëse kontrolloni kutinë e Donacioneve të Vaksinave në anën e majtë do të shihni që India ka bërë një marrëveshje dypalëshe me Shqipërinë për 50.000 doza Covishield të cilat janë dorëzuar.”
Përgjigja nga Dhoma e Mediave, Gvi Aleanca e Vaksinave datë 31 Gusht.
Nga kërkimet e Faktoje rezulton që ky të jetë varianti indian i vaksinës AstraZeneca, por me emërtimin “Covishield”.
Kjo lloj vaksine, sipas një dokumenti të Open Data, aplikohet në Indi dhe në vende të Afrikës, por deri më tani nuk është miratuar nga EMA apo FDA. Sipas informacioneve të Open Data vaksina Serum Institute of India-Covishield shënon vetëm 1 eksperiment në 2 vende të ndryshme dhe është miratuar nga 17 vende.
Nga kërkimet në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk rezulton asnjë raportim mbi llojin e vaksinës Covishield, gjë që ngre sërish pikëpyetje mbi transparencën se kujt po i injektohet kjo vaksinë. Për këtë arsye, ne iu drejtuam sërish Ministrisë së Shëndetësisë dhe jemi në pritje të përgjigjeve zyrtare.
Faktoje kontrolloi dhe në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë nëse ka ndonjë raportim mbi ardhjen e vaksinës me emërtimin Covishield dhe në cilat kategori u është injektuar, por deri më sot nuk rezulton ndonjë informacion për këtë. Faktoje.al