“Vaksinat janë mjaftueshëm efektive që të parandalojnë sëmundje të rëndë nga Covid-19 dhe se aktualisht nuk ka nevojë që popullata e përgjithshme të marrë një dozë të tretë”- thuhet në një studim të publikuar më 13 shtator në revistën mjekësore Lancet.
Disa shtete kanë filluar që të ofrojnë doza shtesë nga frika e variantit më ngjitës, Delta, që ka detyruar OBSH-në të bëjë thirrje për moratorium sa i përket dozave të treta, pas shqetësimeve për furnizimin me vaksina në vendet e varfra, ku miliona persona ende nuk kanë marrë dozën e parë të vaksinës, shkruan AFP.
Por, raporti i përpiluar nga shkencëtarët, ku ishin edhe shkencëtarë nga OBSH-ja, erdhi në përfundim që me kërcënimin e Deltës “dozat përforcuese në popullatë nuk janë të përshtatshme në këtë fazë të pandemisë”. Autorët e studimit, që kanë shqyrtuar studimet vëzhguese dhe provat klinike, gjetën se vaksinat vazhdojnë të jenë shumë efektive ndaj simptomave të rënda të COVID-19, në të gjitha variantet kryesore të virusit, përfshirë edhe variantin Delta, edhe pse ato kishin sukses më të ulët në parandalimin e sëmundjes asimptomatike.