Qeveria hungareze u ka dërguar transmetuesve udhëzimet për kufizimet që duhet të zbatojnë kur shfaqin filma me homoseksualë. Kufizimet janë të njëjta me ato që zbatohen për filma horror apo të dhunshëm.
Sipas rregulloreve të nxjerra më 15 shtator nga Këshilli i Medias i Autoritetit Kombëtar të Mediave (NMHH), filmat që kanë tema LGBT+ (homoseksual, lesbike, biseksual, transgjinor dhe ndërseksualë) si dhe çështje të identitetit gjinor nuk do të “rekomandohen” për personat nën moshën 18-vjeç.
“Sjelljet e përgjithshme që shprehin butësinë, si një puthje në faqe, një përqafim, mbajtja e duarve gjatë ecjes ose një puthje nuk mund të konsiderohen problematike përveç se në rastet kur ato përbëjnë një element qendror të programit”, thuhet në udhëzim.
Në muajin qershor Hungaria miratoi ligjin që ndalon “shfaqjen dhe promovimin e homoseksualitetit” për personat nën 18-vjeç. Përgatitja e këtij ligji u bazua në ligjin e diskutueshëm të “propagandës homoseksuale” të miratuar nga Rusia më 2013.
Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, e ka kritikuar këtë ligj duke thënë se ai “rrit armiqësinë shoqërore” ndaj homoseksualëve në Rusi dhe paraqet një “shembull klasik të homofobisë politike”.
Edhe Hungaria është përballur me kritika të ashpra për ligjin nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Qeveria konservatore e kryeministrit Viktor Orban ka thënë se legjislacioni është i nevojshëm për të mbrojtur “të drejtën e fëmijëve për identitetin e tyre gjinor të fituar në lindje”.
Organizata Amnesty International në Budapest lëshoi një deklaratë në muajin qershor duke thënë “njerëzit që përballen me një mjedis armiqësor, tani do t’i ekspozohen një diskriminimi edhe më të madh”.\REL