Basha në fjalën e tij:
Demokracia shqiptare nuk është në krizë, ajo ka vdekur! Ka vdekur në shtyllat e saj kryesore, në themelin e saj që janë zgjedhjet e lira.
Nuk vdiq për shkaqe natyrore, packa se sëmundja e saj ishte e rëndë dhe e gjatë.Demokracia është vrarë.
Gishti tregues për të kërkuar përgjegjësit e këtij krimi mund të drejtohet te shumë prej nesh që jemi në këtë sallë, apo tek ata që nuk janë më. Kushdo që është ngritur në këtë foltore në këto tre dekada ka borxhet dhe mëkatet e veta, por ekzekutori i fundit dhe i vetëm i saj është ai që foli përpara meje. Provë e kësaj është fjalimi që ai mbajti pas dy mandatesh kryekëput të dështuara nga pikëpamja e interesit publik dhe përfitimit të qytetarëve; është deliri për të fryrë gjoksin përballë dështimit me pasoja tragjike të qeverisjes, dhe përpara paaftësisë kronike për të menduar për qoftë edhe një cast të vetëm për dicka tjetër, përveç mënyrës se si të mos lëshojë pushtetin e tij.Nëse nuk do të ishte kështu, pra nëse demokracia nuk do të ishte ekzekutuar në instrumentin më të rëndësishëm të saj që janë zgjedhjet, ky njeri nuk do të ishte duke treguar përralla për atë që nuk ka bërë dhe për atë që nuk do të bëjë në të ardhmen, por do të ishte duke u marrë me avokatët e tij mbrojtës sespe do të kishte punë me drejtësinë për cfarë i ka bërë vendit bashkë me ortakët e tij.
Sepse nëse zgjedhjet nuk do të ishin goditur për t’ju mohuar qytetarëve shprehjen e vullnetit të tyre të lirë, askush me bilancin e tij të zi, nuk do të kishte shansin të dilte në këtë foltore për të përsëritur gënjeshtra të reja dhe për të amnistuar krime dhe dështime të vjetra.