Minatori 61 vjeçar Muharrem Plaku, gjendet i bllokuar tashmë prej më shumë se 48 orëve, nën një prej galerive të minierës së Bulqizës. Prej atij momenti kërkimet e organizuara nuk kanë arritur të shpëtojnë ende 61 vjeçarin apo të gjejnë ndonjë gjurmë prej tij.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, ka reaguar edhe Sindikata e Bashkuar e Minatorëve. Nëpërmjet një postimi në faqen e tyre zyrtare, sindikata kritikon masat e marra nga shteti përsa i përket gjetjes së minatorit të zhdukur. Sipas tyre mobilizimi shtetëror ka qenë qesharak pasi e kanë pasur gjithë vëmendjen tek Kuvendi i ri i padrejtësive.
Postimi i Plotë nga Sindikata e Bashkuar e Minatorëve
ASNJË REAGIM NGA SHTETI PËR MINATORIN MUHARREM PLAKU
Kanë kaluar më shumë se 48 orë nga momenti kur një masiv dheu ka zënë poshtë minatorin Muharrem Plaku në Bulqizë. Raportohet nëpër media sikur grupet e avari-shpëtimit janë duke bërë kërkime, por në fakt janë minatorët e tjerë, shokët e Muharremit, ata që po vazhdojnë kërkimet pa u lodhur.
Shteti dhe mobilizimi i institucioneve shtetërore ka qenë qesharak, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy ditë. E gjithë vëmendja është përqëndruar te parlamenti i ri i padrejtësive të vjetra. Asnjë fjalë nuk kanë thënë për minatorin Muharrem Plaku.
Bëjmë thirrje që shteti të kthejë sytë nga Bulqiza dhe të përqëndrojë të gjitha forcat për nxjerrjen e shokut tonë nga nëntoka.
Jeta jonë duhet të jetë më e rëndësishme se fitimi i pronarëve dhe pallavrat e politikanëve!