Aldo Bumçi, ish-deputet i Partisë Demokratike e quan të gabuar vendimin e Lulzim Bashës për largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar. Bumçi tha se vendimi i Bashës është i gabuar qoftë në formë qoftë në përmbajtje, ndërsa shtoi se kreu i PD -së kërkoi transparencë nga SHBA, të cilën vetë nuk e ka bërë.
Në cilësinë e anëtarit të Kryesisë së PD, Bumçi tha se as ai dhe as kolegët nuk janë pyetur dhe konsultuar nga Basha në marrjen e vendimit për Berishën.
“Ky është një vendim i gabuar, i parë nga të gjitha këndvështrimet si nga përmbajtja, ashtu dhe nga vlerat dhe normat që janë të rëndësishme. Zoti Basha po merr një vendim për liderin e PD, por vlen edhe për çdo anëtar tjetër. Marrim anën formale, a ka të drejtë kryetari i partisë të përjashtojë një deputet nga grupi? Jo nuk i ka.
Mund të ketë vetëm në rast se ka shkelje të rënda të parashikuara në statut, në këtë rast nuk kemi asnjë shkelje të zotit Berisha, i cili ndan vlera të njëjta me PD. Nuk ka një vendim të bazuar në ligj, pasi dhe partitë kanë statut që janë Kushtetuta e tyre. Natyrisht që zoti Basha edhe për ta shtruar në votim nuk kishte mundësi, sa kohë që nuk ka një shkelje të deklaruar.
Nuk është shumica që vendos kush ka të drejtë dhe kush gabim, duhet të ketë një shkelje. Edhe shtrimi në forume nuk do të ishte i matur, por të paktën do të kishte një diskutim. Vijmë te elementi përmbajtësor, a i ndan zoti Basha të njëjtat vite me zotin Berisha, flitet për periudhën 2005-2013, që kanë qenë vitet me qeverisjen më të mirë. Nuk e them unë këtë, e thonë dhe vetë raportet e DASH. Ne nuk kemi argumente që të mbështesin qëndrimin e SHBA-ve, në Shqipëri ne kemi ligjet tona, zoti Basha ka kërkuar transparencë e cila nuk është bërë”, tha Bumçi.
Anëtari i Kryesisë së PD-së tha më tej se Basha duhet ta ndante të paktën me bashkëpunëtorët vendimin e tij për Berishën. Bumçi përmendi dhe rastet kur Basha apo politikanë të tjerë i kanë thënë JO SHBA-ve, në ndryshim me deklaratat e kreut të PD-së se përjashtimi i Berishës ishte rruga e vetme që i lanë amerikanët.
“Nëse SHBA ka ardhur me vendim të prerë për Berishën, atëherë ky qëndrim nuk qëndron. Se po na afrohet një marrëdhënie me Amerikën që nuk është e vërtetë. Tiu marr disa shembuj të freskët nga Shqipëria, kur SHBA kërkuan që në Shqipëri të bëhej përpunimi i armëve kimike, zoti Rama iu tha jo, ai mori në konsideratë faktet dhe reagimet dhe i tha jo SHBA-ve.
Po kështu ka dhe shembuj të tjerë, të marrim Reformën në Drejtësi, SHBA erdhën me një projekt, që Byroja Kombëtare të ishte në varësi të Ministrisë së Brendshme, dhe kjo nismë ligjore u kundërshtua prej nesh. Kjo që na thotë Basha se ne nuk kishim mundësi të kundërshtonim, rrëzohet nga këta dy shembuj”, tha më tej Bumçi.
“Zoti Basha nuk i dëgjoi thirrjet e amerikanëve qoftë për djegien e mandateve, qoftë për marrjen pjesë në zgjedhjet lokalë të 2019, pra zoti Basha bashkë me PD kanë marrë vendime kundër SHBA-ve. Pra kjo që po thuhet tani se kemi vetëm një rrugë nuk është e vërtetë”, vijoi më tej Bumçi.