Pas 15 vitesh, Luana Vjollca zgjedh të largohet nga “Top Channel”!
Moderatorja iu është drejtuar të gjithë fansave duke lajmëruar se programi “Shiko Kush Luan” nuk do të transmetohet këtë sezon në ekran, ndërkohë që nuk ka preferuar të japë detaje të tjera në lidhje me projektin e saj të ri!
“Nuk e paskam dit sa shumë qenkemi dasht?!
Dashni pa kushte, dashni e madhe, dashni e vërtetë, e njëjtë nga të dyja palët: Unë dhe Ju. Ju që më pyesni e më shkruani qindra e mijëra herë gjatë ditës “Kur do të rikthehesh në TV”- e kërkoni këtë me ngulm gati-gati në protestë… WOW ça ndjesie! Qenka dasht’ me u ndal pak, me pas kohë me përjetu dashninë tuaj, me kuptu sa e fortë dhe e vërtetë qenka kjo dashni, me reflektu tek vetja që vërtetë kam punuar shumë shumë shumë fort për kaq e kaq shumë vite por ia paska vlejt’ barra qeranë. Arritja më e madhe në këtë profesion qenka kur njerëzit t’i marrë malli për ty në ekran – aq shumë sa të merr ty malli për duartrokitjet e tyre! Ndjej për detyrim të ndaj me Ju publiku im, ju që keni qenë pjesë e rrugëtimit tim televiziv, ju që më keni komplimentuar, kritikuar, dashur e urryer… Secili prej jush ka kontribuar në formimin tim artistik. Duke e marrë këtë konfirmim kaq të madh që ju kam në krahë në çdo hap më ka lehtësuar peshën e vendimeve ndoshta edhe pa dëshirën e plotë, por për shkak të rrethanave dhe arsyeve madhore, për të cilat nuk do të doja të flisja, ashtu siç kam zgjedhur përherë…
Nga ky sezon nuk gjendem nën logon e Top Channel (i cili, do të mbetet përherë shtëpia ime, ku u rrita dhe u zhvillova për 15 vite). Prandaj, si rrjedhojë, këtë sezon të shtunën mbrëma nuk do ta ndajmë bashkë duke luajtur, qeshur e argëtuar me “Shiko Kush LUAN”. Tani, prioriteti im është një projekt personal, i cili më shumë se gjithçka tjetër është zëri im i brendshëm, i cili dua fort të shërbejë edhe si zëri i secilit prej jush, për të tejkaluar çdo sfidë të jetës. #Thuaje Mirëpo, assesi nuk do t’iu lë në baltë, ashtu siç e di që Ju s’do të më linit kurrë mua. Paralelisht jam duke punuar për të qenë sa më shpejt afër jush me programe argëtuese, çdo të shtunave mbrëma, sepse tradita jonë mund të vonojë por nuk do të mungojë, PREMTOJ”, ka shkruar Luana.