Të paktën 116 persona kanë vdekur në një luftë mes bandave rivale në burgun e Ekuadorit, thonë zyrtarët, duke e bërë atë dhunën më të keqe në burgje në historinë e vendit.
Të paktën pesë të burgosurve u prenë kokën në përleshjet e së martës në qytetin Guayaquil, ndërsa të tjerët u qëlluan për vdekje.
Komandanti i policisë Fausto Buenaño thotë se të burgosurit hodhën edhe granata.
U deshën 400 policë për të rimarrë kontrollin e burgut, i cili strehon të burgosur të lidhur me bandat globale të drogës.
Mediet lokale raportojnë se kryengritja u urdhërua nga banda të fuqishme meksikane të trafikut të drogës, që tani po veprojnë në Ekuador. Drejtori i shërbimit të burgjeve të Ekuadorit Bolivar Garzon i tha radios lokale se situata ishte “e tmerrshme”.
“Dje, policia mori kontrollin, por mbrëmë pati të shtëna të tjera, shpërthime dhe sot në mëngjes ne morëm kontrollin total, po hyjmë në pavionet ku kishte konflikt dhe po zbulojmë më shumë trupa,” tha ai.
Presidenti Guillermo Lasso ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në sistemin e burgjeve të vendit.