Burri në fjalë, i cili ishte rreth moshës 80 vjeç, u zgjua një mëngjes nga gjumi me një lakuriq nate në qafë. Pasi lakuriqi u testua dhe doli pozitiv ndaj tërbimit, burri nuk pranoi që të kurohej, tha Departamenti i Shëndetit Publik në Illinois.

Rreth një muaj pas ekspozimit ai nisi të kishte dhembje qafe, dhembje koke, mpirje në gishtërinj, vështirësi në kontrollin e krahëve dhe në të folur, thanë autoritetet shëndetësore. Të martën, CDC konfirmoi edhe diagnozën e të ndjerit. Ndërsa ekspertë të kafshëve të egra gjetën një koloni lakuriqësh nate në shtëpinë e tij.

“Tërbimi ka një përqindje më të lartë të vdekshmërisë nga çdo sëmundje tjetër”, tha Drejtori i Departamentit të Shëndetësisë në Illinois, Ngozi Ezike. “Sidoqoftë, ka kura për të shpëtuar jetën”.

Virusi i tërbimit përcillet nga kontakti i drejtpërdrejtë me një kafshë të infektuar, sipas CDC. Ai sulmon sistemin nervor qendror, duke shkaktuar sëmundje të trurit që më pas çon në vdekje. Sipas CDC, lakuriqët e natës janë përgjegjës për 70% të infektimeve me tërbim në SHBA.