“E dinim që gjyqtari nuk do ta mbyllte ndeshjen dhe do të kthehej në fushë”, – tha sulmuesi polak për TVP. “Sidomos pasi ne shënuam një gol dhe në fakt kishin mbetur 13-14 minuta deri në fund të sfidës, ndaj ishte një vendim i vështirë për të”, – shpjegoi fillimisht ai.
Fitorja minimale ndaj Shqipërisë, sipas tij, erdhi edhe për shkak se ekipi shqiptar bëri mirë mbulimin e emrave më të rrezikshëm të sulmit të përfaqësueses polake.
“Mund të thuhet se bëmë minimumin, por gjithsesi e kryem detyrën. Kishim kontrollin në mes të fushës, vetëm rreth 20 metra nga porta e kundërshtarit nuk kishim shumë lojtarë tanët. Kishte gjithmonë dyluftime, nuk kishte hapësira, kishte gjithmonë 2-3 lojtarë afër”, – shpjegoi ai arsyen pse ishte një fitore shumë e ngushtë.
Tani ai parashikon një disfatë të Shqipërisë edhe në ndeshjen e radhës, atë kundër Anglisë, ndaj mendon se Polonia duhet të përqendrohet te vendi i dytë: “Mendoj se anglezët nuk kanë se si humbin pikë, ndaj ne duhet të fokusohemi te puna jonë, ndeshjet tona. Duam të marrim 6 pikë dhe pastaj të shohim se ku na çojnë.”
(BalkanWeb)