Kriza e energjisë, e shfaqur si një rrufe në qiell të hapur, me përmasa globale, ka prekur rëndë edhe Shqipërinë. Qeveria ka shpallur emergjencën për furnizim deri më 15 prill 2022, duke pezulluar planet e investimit të tre kompanive publike. Ministria e Financave duhet të sigurojë mekanizmat financiarë për importet. Ndërkohë çmimet e një megavati në bursa kanë arritur nivele të çmendura prej 323 eurosh. Situata nuk ishte kaq dramatike, deri në maj të këtij viti, kur si KESH edhe OSHEE, shitën së bashku 53 milionë euro energji në treg të lirë. Tashmë me një faturë importesh që deri më 10 tetor kaloi 100 milionë euro për 2021, zgjidhjet janë të pakta: ose rritje çmimesh, ose rritje borxhi, të cilat në finale të dyja paguhen nga konsumatori. Operatorët e tregut pohojnë se kriza pritet të zgjasë të paktën dy vjet dhe Shqipëria, me një varësi të madhe nga “hidro”, duhet të menaxhojë më mirë burimet. Zgjidhja ideale do të ishte diversifikimi dhe Bursa, të cilët funksionojnë vetëm në letra, në praktikë asnjëra prej tyre nuk është arritur ende.
Prej vitesh, Shqipëria po vazhdonte të njëjtin cikël. Prodhonte energji, shiste në periudha të mira hidrike dhe importonte në vite me thatësira, kur nevojat dhe konsumi ishte i madh, por rezervat e saj të zeruara. Këto importe kalonin dhjetëra miliona euro.
Në këtë cikël nuk mungonin as përmbytjet e herëpashershme, teksa portat e kaskadës më të madhe hapeshin, ashtu sikurse nuk mungonin as çmimet e kripura me të cilat kompania publike e shpërndarjes siguronte energjinë për konsum. Shqiptarëve, dalëngadalë, u kishte dalë nga memoria pjesa e ndërprerjeve të gjata e me orare standarde të energjisë. Ato që ndodhnin ishin të shpejta dhe më të shkurtra, duke vendosur pas si argument problemet me rrjetin ose investimet.
Së fundmi, frika për rikthimin e ndërprerjeve u shfaq sërish në horizont, teksa kriza energjetike nuk ishte më një problem yni, por global dhe kombinimi i disa faktorëve bënë që çmimet në bursa të arrinin nivele të çmendura prej 323 euro/MWh (data 7 tetor në pik në Bursën Hungareze).
Blerjet e fundit të Shqipërisë (përmes Furnizuesit të Tregut të Lirë, pjesë e OSHEE Group) ishin 233 euro/MWh, çmimi më i lartë që Shqipëria ka siguruar ndonjëherë energjinë. Pesha e konsumit që sigurohet nga importet sipas të dhënave të Institutit të Statistikave është mesatarisht nga 15 për qind në 48 për qind për konsumin e energjisë në vend, e llogaritur për një periudhë 20 vjeçare (2000-2020) çka tregon për një varësi të lartë të vendit.
Në vitin 2020, të paktën 43 për qind e energjisë së konsumuar në vend u sigurua në import. Në vitin 2018 Shqipëria ishte eksportues neto, por në konsum Shqipëria 23 për qind të energjisë e siguroi sërish në import.
Burimi: INSTAT
Për t’iu rikthyer krizës edhe një dalje e jashtëzakonshme e Kryeministrit Edi Rama dy javë më parë bëri që frika për një krizë energjetike me pasoja deri te konsumatori të shihej e mundshme. E sigurt është se Shqipëria nuk është imune ndaj kësaj krize që ka hyrë në një cikël të rrezikshëm dhe po alarmon çdo vend në Europë, Kinën e më gjerë.
Problemi real është spiralja e rrezikshme e pasojave që do të ketë kjo situatë, të cilat mbeten të paqarta dhe jo afatshkurtra.
Çfarë po ndodh me energjinë, arsyet e krizës që prek edhe Shqipërinë
Revista “Monitor” kontaktoi me të paktën dy kompani vendase që kanë në objekt të tyre tregtimin e energjisë dhe janë aktive në bursa, për të kuptuar se çfarë po ndodh në tregje. Dy prej tyre preferuan që të mos citohen me emra, por nënvizuan se një krizë energjetike si kjo, me të cilën po përballet bota sot, mbetet e paqartë për mënyrën sesi do të vijojë dhe pasojat janë të pashmangshme edhe për Shqipërinë.
“Edhe ne jemi të paqartë se çfarë po ndodh realisht me tregun, pasi ka luhatje të mëdha çmimi në hark kohor të shkurtër, ku edhe kompanitë tona partnere ndërkombëtare nuk po arrijnë t’u japin shpjegim. Ato janë kompani që kanë të dhëna dhe burime shumë më të larta se tonat.
Ajo çfarë flitet nga mediat ndërkombëtare jep një ide mbi disa nga arsyet kryesore që kanë sjellë këtë situatë, të cilat nisin me rritjen e çmimit të gazit, rritjen e kërkesës për energji pas pandemisë, mungesën e prodhimit nga burimet e rinovueshme të energjisë (era në këtë rast që ka dhe peshë) si dhe një rritje e tregut, si efekt i masave për uljen e shkarkimeve CO2” pohuan aktorët kryesorë të tregut.
Rritja e kërkesës për energji ishte parashikuar më herët nga ekonomistët në mbarë botën, si pjesë e rimëkëmbjes post-pandemi të industrisë. Kjo situatë erdhi e kombinuar me një sërë elementesh të tjerë, që përkuan në të njëjtën kohë, të cilat bënë që sasia e energjisë së disponueshme të ishte e ulët dhe çmimet të arrinin nivele rekord. Rritje e çmimeve është raportuar në Spanjë, Itali dhe kudo nëpër Europë, teksa Kina ka vendosur në një regjim më strikt vendin. Kompanitë e mëdha në këtë treg, përfshirë Apple dhe Tesla, kanë ngritur alarmin për rrezikun e ndërprerjeve të mundshme që do të kishte pasoja katastrofike.
Situata e Kinës lidhet me rezervat e ulëta të qymyrit. Në Europë, shkak është bërë çmimi i gazit. Ky i fundit po shitet të paktën 5 herë më shtrenjtë sesa një vit më parë. Rezervat e gazit janë të ulëta si efekt i post-pandemisë. Çdo lëvizje e çmimit të gazit ndihet menjëherë në 27 shtetet e Bashkimit Europian, të cilat edhe pse kanë reduktuar përdorimin e tij, e kanë atë një nga burimet kryesore të energjisë.
Kriza vjen në një kohë kur ka përpjekje për të ulur emetimet e CO2 dhe termocentralet kanë dalë jashtë funksionit, si pjesë e strategjisë për nxitjen e burimeve të rinovueshme. Ndërkohë, prodhimi i impianteve të erës është në nivelet më të ulëta të 50 viteve të fundit. Por çfarë do të thotë e gjithë kjo panoramë për Shqipërinë? Jo thjesht çmime më të larta për të siguruar energjinë. Nga kompanitë publike është pohuar nën zë se tashmë, edhe pse mund të marrësh parasysh koston financiare, është bërë e vështirë të sigurosh sasi energjie të disponueshme.
Importet me çmime rekord, OSHEE shpenzoi 177 milionë euro në dy vjet
Situata problematike hidrike në dy vitet e fundit ka detyruar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të plotësojë konsumin në vend, nëpërmjet importit që në 2020-2021 ka kapur vlerë financiare 177 milionë euro. Të dhënat zyrtare të importeve nga OSHEE Group tregojnë se, shumica e kësaj vlere, të paktën 56%, i takon importeve të këtij viti, nga janari deri më 10 tetor, kurse sasia e importuar e energjisë është më pak se gjysma e një viti më parë, duke reflektuar çmimin e lartë me të cilin po sigurohet kjo energji.
Çmimet e importeve, të cilat kanë pasur një mesatare të qëndrueshme nga janari në qershor, me vlerë 50.5 euro/MWh, kanë hyrë në një cikël të paprecedentë rritjeje në javët e fundit, duke kulmuar në ankandin e fundit të Furnizuesit të Tregut të Lirë, ku çmimi mestar i importit arriti 233 euro/MWh.
Përshkallëzimi i çmimeve me tendencë rritje ka ardhur nga ankandi në ankand dhe nga muaji në muaj. Në korrik, çmimi mesatar i importit ishte 107.6 euro/MWh, në gusht 128.2 euro/MWh dhe në shtator 165 euro/MWh.
Situata me importet e larta ka dëmtuar financiarisht kompaninë e shpërndarjes, e cila është detyruar që të pezullojë investimet në një situatë të përsëritur edhe në vite më parë. Fondet e dedikuara për këtë pjesë kanë shkuar kryesisht për blerje të energjisë në tregun e lirë.
Administratori i OSHEE Group Adrian Çela nënvizoi në një intervistë për “Monitor” se kostot e blerjes së energjisë parashikohet të rriten jashtëzakonisht shumë dhe do të ndikojnë tek performanca financiare e kompanisë.
“Parashikimet për rritjen e jashtëzakonshme të çmimeve në tregun e energjisë gjatë pjesës së mbetur të vitit pritet të rrisin kostot e blerjes së energjisë dhe ndikimin në performancën financiare të shoqërisë” shprehet Çela.
KESH dhe OSHEE shitën rreth 53 milionë euro energji në treg të lirë në vitin 2021
Viti 2021 u kthye në një vit problematik në aspektin hidrik pas majit. Deri në ata muaj, si Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ashtu edhe Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, po shisnin në treg të lirë tepricat, duke arkëtuar sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor” disa dhjetëra miliona euro. Por si qëndron marrëdhënia mes dy kompanive sa u takon detyrimeve që kanë ndaj njëra-tjetrës.
KESH, sipas ligjit si kompani publike, duhet që t’i sigurojë Furnizuesit të Tregut të Lirë (pjesë e OSHEE Group) sasi energjie të nevojshme për furnizimin e konsumatorit fundor në tregun e rregulluar, nëse ai ka mundësi të prodhojë. Nëse nuk ka, atëherë siguron vetëm një pjesë të kësaj sasie. Kur KESH plotëson sasinë që i detyrohet OSHEE-së, sipas ligjit, gjeneruesi mund t’i shesë tepricat në tregun e lirë.
OSHEE, nga ana tjetër, duhet të sigurojë në tregun e lirë diferencën e energjisë që i duhet për humbjet e saj në rrjet. Këtë sasi dhe shtesën, nëse nuk ka prodhim të plotë nga KESH, kompania e shpërndarjes duhet që ta sigurojë nga importet. Në vitin aktual 2021, prodhimi në muajt e parë ka qenë i mirë për KESH, ndaj ky i fundit, pasi ka plotësuar sasinë që i detyrohet OSHEE-së, ka shitur tepricat në treg të lirë, me një shumë që nga janari në tetor arrin 48 milionë euro. Por, për herë të parë këtë vit, edhe Furnizuesi i Tregut të Lirë, si pjesë e OSHEE-së, zhvilloi shitje energjie në treg të lirë.
Është ajo sasi energjie e marrë nga Prodhuesit me Përparësi të Energjisë (hidrocentrale me kapacitet deri në 15 MW) dhe që i rezultonte si tepricë pas plotësimit të nevojave për konsum. FTL zhvilloi nga prilli në maj, pesë procedura të veçanta, ku ka shitur 77 600 MWh energji, me vlerë financiare 4.36 milionë euro, vetëm pak kohë më pas do të nisnin edhe importet masive. Teksa vera pati mungesë të theksuar reshjesh, duket se për kompaninë e prodhimit, në anën tjetër, u shfaq në horizont nevoja për optimizim.
Kjo është një praktikë që KESH e zhvillon prej vitesh, duke shitur energjinë që prodhon gjatë pikut dhe duke blerë energji në fasha më të lira, gjatë natës. Në total, sipas të dhënave të përpunuara nga revista “Monitor”, nga procedurat e shitjes së KESH rezultojnë të jenë kryer 12 procedura blerje, me një total prej 1.53 milionë eurosh.
Çmimet e larta të energjisë parashikohen të zgjasin 1-2 vjet
Operatorët e tregut, kryesisht ata që tregtojnë energji në bursë, apo në treg të lirë në vend, shprehen se situata aktuale e çmimeve nuk duket të jetë diçka afatshkurtër, që do të marrë zgjidhje në pak muaj. Përkundrazi, shumica e sheh si diçka që do të shkojë përtej një viti, ndërkohë që ka edhe nga ata që mendojnë se do të duhen dy vite drejt normalitetit.
Kjo lidhet me faktin se kërkesa post-pandemike për energjinë vazhdon të jetë në rritje dhe rimëkëmbja e ekonomive do të vazhdojë ta mbajë këtë drejtim. Së dyti vlerësohet se alarmi për ndryshimet klimatike dhe orientimi drejt energjisë së pastër e eliminimit të gazrave me efekt serë do të ushtrojë më shumë presion mbi çmimet.
“Minimumi mendoj që do të ketë efekte dhe do të ndihet për dy vjet. Pritshmëritë tona janë këto, por askush nuk e di se çfarë do të ndodhë. Ndoshta çmimet për 5 vitet e ardhshme nuk do të shkojnë më pak se 65-70 euro MWh. Por mendoj se që të ulemi në nivelin 70 euro, do të duhet një vit ndoshta, apo një vit e gjysmë, sepse tani po rriten çmimet e karbonit, problemet e gazit natyror janë të pranishme.
Furnizimi me gaz është problem kryesor i Europës dhe Turqisë për momentin. Mesa kam parë në lajme ka probleme edhe me furnizimin me gaz nga Holanda. Janë disa faktorë që prekin si energjinë e pastër, edhe atë që vjen nga të tjera burime si qymyri apo nafta” – shprehet z. Arman nga “Ayen”.
Kompani ndërkombëtare vlerësojnë se kriza energjetike në horizont nuk do të ketë një rregullim të shpejtë, apo kthim në normalitet.
Një efekt të madh në këtë krizë po e jep blerja nën panik, ku gazi ka kapur nivele astronomike, sipas “CNN Bussines”, ndërkohë që rritje ka edhe qymyri. Ky rrjet citon se Jim Burkhard, i cili drejton kërkimet e tregut të “IHS Market” për naftën, energjinë, dhe mobilitetin thekson se nuk do të ketë lehtësim të menjëhershëm në horizont.
Kompanitë publike, aplikim për tarifat në ERE por situata i le pezull
Me rregull, kompanitë publike të sektorit të energjisë, nëse shohin nevojën për më shumë para për të mbështetur aktivitetin e tyre dhe për të siguruar funksionimin, mund të kërkojnë rritje të tarifave. Një rritje e tarifave kërkohet prej vitesh, të paktën nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) por edhe nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).
Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, tha për “Monitor” se tashmë ky institucion po trajton kërkesat. Aplikimet e dorëzuara nuk janë të formës finale, por shkresa, ku ERE-s i kërkohet më shumë kohë për t’i finalizuar, edhe për shkak të mënyrës së paprecedentë me të cilën vijuan ngjarjet dhe afrimi i një krize energjetike të paparashikuar.
OST konfirmoi, pak javë më parë, se kompania po punonte për një aplikim të ri, i cili do të dorëzohej edhe këtë vit. Një vit më parë, OST kërkoi një tarifë 1.31 lekë për kilovat/orë të transmetuar teksa aktualisht, tarifa e OST është 0.75 lekë/kwh. OST e ka argumentuar ndër vite këtë kërkesë të bërë pranë ERE-s, me nevojën për më shumë para pasi aktualisht ka një sërë kredish, për të cilat po paguan, ndërkohë që ka edhe një plan ambicioz me investime.
OSSH, nga ana tjetër, një prej tre kompanive të krijuara pas ndarjes së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) e ka ende në proces hartimi aplikimin e saj, për shkak të situatës së përgjithshme dhe kushteve të reja me të cilat po përballet tregu. Kurdo që të paraqiten aplikimet, ato duhet që të respektojnë metodologjinë e Entit Regullator për të justifikuar rishikimin.
Qeveria deklaron emergjencë, familjarët dhe biznesi i vogël do të mbrohen
Qeveria miratoi të premten e javës së kaluar (8 tetor 2021) vendimin i cili deklaron emergjencë për situatën e krijuar nga kriza dhe furnizimin me energji të vendit. Në daljen e tij, kryeministri Edi Rama deklaroi se vlerësimet janë që kriza të arrijë kulmin në mes të vitit 2022.
“Kemi pasur një mbledhje jashtë rendit, për të marrë një vendim për të deklaruar emergjencën në furnizimin e energjisë elektrike. Situata e përgjithshme e rritjes së çmimit të energjisë i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë me instrumente financiare, qoftë me instrumente të natyrës administrative. Sot me këtë vendim, i hapim rrugë edhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm për të përballur këtë situatë.
Ndërkohë mund t’u referohemi vetëm analizave të ekspertëve dhe analizat që po bëjnë qeveritë e vendeve të ndryshme dhe është një situatë shumë e ngjashme në aspektin e goditjes së ekonomisë nga pandemia. Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë e pranishme me kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm, edhe pas përballimit të krizës, çmimet nuk do kthehen aty ku ishin, po për ne është e rëndësishme të mbrojmë konsumatorin tonë, sipas prioriteteve, do të fillojmë nga ata që janë më nevojë dhe duke u ngjitur lartë. E vetmja rritje çmimi që ka ndodhur në qeverisjen tonë, ishte në 2015, kur hymë në reformën e energjisë” – tha Rama.
Vendimi për emergjencën e furnizimit parashikon ngritjen e grupit ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë. Po kështu shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.
“Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë, me qëllim mundësimin e importit të energjisë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë të energjisë elektrike. Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 15 prill 2022” thuhet në vendim.
Plani i posaçëm i qeverisë synon mbrojtjen e biznesit të vogël dhe të konsumatorëve familjarë, ndërkohë që ata të cilët mbeten të ekspozuar janë bizneset e mëdha në treg të lirë. Këta të fundit kanë deklaruar çmime të larta furnizimi, gjë që do të ndikojë në kostot e prodhimit, kosto e cila në mënyrë zinxhir do të përcillet tek konsumatori fundor./ Monitor