Xhamia e madhe në Mekë ka hequr distancimin shoqëror. Pelegrinët u luten krah për krah për herë të parë që kur filloi pandemia e koronavirusit në qytetin e shenjtë mysliman. Arabia Saudite ndërkohë ka filluar të lehtësojë kufizimet e saj kundër Covid-19.
Xhamia e Madhe në qytetin e shenjtë mysliman të Mekës në Arabinë Saudite ka hequr distancimin shoqëror të dielën, me adhuruesit që luteshin krah për krah për herë të parë që kur filloi pandemia e koronavirusit.
“Kjo është në përputhje me vendimin për të lehtësuar masat parandaluese dhe për të lejuar pelegrinët dhe vizitorët në Xhaminë e Madhe me kapacitet të plotë,” raportoi Agjencia Zyrtare e Shtypit Saudite.
Ndërsa masat për distancimin shoqëror u hoqën, autoritetet thanë se vizitorët duhet të vaksinohen plotësisht kundër koronavirusit dhe duhet të vazhdojnë të mbajnë maska në territorin e xhamisë.
Arabia Saudite njoftoi në gusht se do të fillojë të pranojë të huajt e vaksinuar që duan të bëjnë pelegrinazhin e umres.
Ky ritual mund të ndërmerret në çdo kohë dhe zakonisht tërheq miliona njerëz nga e gjithë bota, ashtu si edhe haxhi i përvitshëm, të cilin myslimanët duhet të kryejnë të paktën një herë në jetën e tyre.
Por mbretëria po hapet ngadalë dhe ka filluar të mirëpres turistë të huaj të vaksinuar që nga 1 gushti.
Arabia Saudite gjithashtu njoftoi se tifozët e sportit do të lejohen të marrin pjesë në ngjarje në të gjitha stadiumet dhe objektet e tjera sportive.
Arabia Saudite ka regjistruar mbi 547,000 raste të koronavirusit dhe 8,760 vdekje.