Përvojat në zgjedhjet e kaluara lokale, kanë treguar që partitë që udhëheqin nivelin qendror të pushtetit, e transmetojnë pushtetin e tyre edhe në nivelin lokal, por një praktikë e tillë nuk ndodhi edhe në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë, thotë njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, e cila aktualisht ka pushtetin në nivelin qendror, nuk e ka fituar ende asnjë komunë, ndërkaq që në 12 komuna do të garojë në balotazh.
Ndërkaq, rezultati në komunat e banuara me shumicë serbe ka qenë i pritshëm, ku sipas rezultateve preliminare, Lista Serbe ka fituar në nëntë komuna, përveç në Kllokot, ku mbetet të garojnë në balotazh Lista Serbe dhe Harmonia Popullore Serbe (SNS), vlerëson politologu, Ognjen Gogiq.
Shumica e komunave në balotazh
Sipas rezultateve preliminare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në 17 komuna janë shënuar fitore të partive dhe 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar pesë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nga dy komuna, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore të qartë në asnjë komunë në raund të parë.
Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Hani i Elezit dhe Skenderaj.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Lipjan dhe Pejë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Deçan dhe Suharekë.
Ndërkaq, Lista Serbe ka fituar në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.
Në balotazh do të shkojnë këto komuna: Gjakova (AAK-LVV), Gjilani (LVV-LDK), Dragashi (PDK-LDK), Klina (AAK-PDK), Kamenica (Partia Socialdemorate -LVV), Podujeva (LVV-LDK), Prishtina (LVV-LDK), Prizreni (LVV-PDK), Vitia (LDK-LVV), Vushtrria (PDK-LDK), Malisheva (Nisma-PDK), Juniku (AAK-LDK) dhe Mamusha (Partia Demokratike Turqve të Kosovës –KDTP dhe partia e Drejtësisë e Turqve të Kosovës – KATP), Gllogoci (PDK dhe Demokratët për Drenasin – DD), Kllokoti (Lista Serbe- Iniciativa qytetare Harmonia Popullore Serbe – GI SNS), Istog (LDK-AAK), Shtimja (PDK-LVV) dhe Rahoveci (AAK-LVV), Obiliqi (Iniciativa Qytetare për Obiliqin – IQO dhe LVV, Fushë Kosova (LDK-LVV), si dhe Kaçaniku (PDK-LVV).
Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, duke komentuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, kanë thënë se partia që udhëheqë me pushtetin qendror, Lëvizja Vetëvendosje ka shpresuar që të ketë fuqizim të saj edhe në nivelin lokal, por kjo nuk ndodhi. Sipas tij, rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale janë “një zgjim brutal nga realiteti” përballë fitores që Lëvizja Vetëvendosje e kishte arritur në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ku fitoi mbi 50 për qind të votave. Pasojë, siç thotë është mungesa e investimeve në resurset njerëzore dhe kandidaturat për kryetarë të komunave.
“Ka pasur një shkëputje të madhe në mes të zhvillimeve dinamike brenda komunave dhe kandidaturave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe për këtë arsye ka ndikuar, që partia që e dominon skenën politike në Kuvend dhe Qeveri, të mos e ketë rezultatin e pritur” tha Muhaxhiri.
“PDK, LDK dhe AAK do të jenë bashkë në balotazh kundër LVV”
Ai ka shtuar se partitë tjera, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deri më tash kanë arritur suksese më të mëdha se Lëvizja Vetëvendosje. Ai vlerëson që në komuna, ku garat do të zhvillohen me balotazh, të trija këto parti do të bashkëpunojnë përballë Lëvizjes Vetëvendosje.
“Është e pritshme që partitë tjera, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja të bashkëpunojnë për balotazh, në mënyrë që t’i mposhtin kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, sepse konsiderojnë që kjo do të mund të reflektohet edhe në nivelin qendror, në zgjedhjet e ardhshme, pasi që kundërshtari i tyre dhe i përbashkët është Lëvizja Vetëvendosje. Ata do të bëjnë çmos që t’ia cenojnë mundësinë për përsëritjen e 14 shkurtit në zgjedhjet ardhshme (parlamentare)”, theksoi Muhaxhiri.
Ai ka thënë gjithashtu se në shumicën e komunave ku kryetarët e mëparshëm kanë kandiduar sërish, edhe për një mandat, të njëjtit nuk kanë arritur fitore, por kanë shkuar në balotazh. Sipas tij, kjo është porosi e votuesve për partitë përkatëse që nuk e kanë guximin që të kryejnë reformat e brendshme, por që ato reforma dhe ndryshime u imponohen nga vota e qytetarëve.
Gogiq: Mbështetje e konstruktuar për Listën Serbe
Ndërkaq, në komunat me shumicë serbe, sipas mendimit të politologut Ognjen Gogiq, rezultatat e zgjedhjeve të 17 tetorit kanë qenë të definuara që më parë dhe ka qenë më se e ditur që Lista Serbe do të fitojë në këto komuna. Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ai thotë që megjithatë, rezultatet në komunat me shumicë serbe nuk janë reflektim i mbështetjes shumë të madhe të cilën e pretendon Lista Serbe si reale, si dhe homogjenizimit të propaguar të komunitetit serb.
“Ky nivel i mbështetjes, i daljes në vota dhe mbështetjes së Listës Serbe, është i konstruktuar, sepse është sekret publik se si aty bëhet fushata. Pra, Lista Serbe është e vetmja që e ka infrastrukturë dhe ka rrjet në terren. Do të thotë, aty janë gjithmonë institucionet e vetëqeverisjes lokale nga të dyja sistemet, të Kosovës dhe të Serbisë, të cilat gjithmonë vihen në dispozicion të fushatës. Të gjithë ata që shfrytëzojnë ato shërbime, janë të detyruar të votojnë. Gjithashtu sillen njerëz nga Serbia qendrore, pra, persona të zhvendosur që të votojnë. Pra, kjo është krejt e konstruktuar”, tha Gogiq.
“Përqindjet në Kllokot dhe Shtërpcë, të padëshiruara për Listën Serbe”
Ai shtoi se rezultatet në dy komuna, në Kllokot, ku do të shkohet në balotazh dhe në Shtërpcë ku kandidati i Listës Serbe mori 59 për qind të votave, janë krejtësisht të padëshirueshme nga Lista Serbe.
“Kjo nuk është diçka që Lista Serbe ka dashur të shohë. Gjithashtu, kjo përqindja në Shtërpcë nuk ka qenë e dëshiruar. Ata dëshirojnë që gjithkund t’i kenë mbi 80 për qind. Ndoshta, sfiduesi më i madh ka qenë Branimir Stojanoviq në Graçanicë. Por, ai ka qenë më parë kuadër i Listës Serbe dhe njerëzit ashtu e kanë perceptuar dhe ai nuk ka mundur që të paraqitet si ndonjë alternativë përballë Listës Serbe”, tha Gogiq.
Ai theksoi se mënyra sesi Lista serbe ka fituar në komunat me shumicë serbe, fillimisht është e dëmshme për pozitën e bashkësisë serbe. Sipas tij, në vitin 2017 ka pasur më shumë pluralizëm dhe alternativa, të cilat i kanë hapur disa çështje të rëndësishme për bashkësinë serbe. Por, siç tha ai, tashmë shumë çështje me interes për bashkësinë serbe “do të mbeten në hije”, për shkak se nuk ka zëra sfidues ndaj Listës Serbe.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, numrin më të madh të komunave, tetë prej tyre, e pati fituar Lidhja Demokratike e Kosovës. Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, pati fituar në shtatë komuna, Partia Demokratike e Kosovës në pesë komuna, Lëvizja Vetëvendosje në tri komuna, Aleanca për Kosovën e Re dhe Nisma patën fituar nga një komunë, si dhe dy kandidatë të pavarur fituan në dy komuna. Lista Serbe pati fituar në të 10 komunat e banuara me shumicë serbe, si dhe Partia Demokratike Turqve të Kosovës në një komunë./REL/