Dy javë pas emërimit të tij në krye të Policisë së Shtetit, Gledis Nano del këtë të hënë në orën 13:00 në daljen e tij të parë publike para mediave. Dalja e tij koencidon me përfundimin e afatit 100 ditor të përcaktuar nga kryeministri Edi Rama në kohën kur policia drejtohej nga Ardi Veliu. Nano pritet të komunikojë bilancin paraprak të punës së Policisë së Shtetit muajt e fundit. Ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht nëse do të ketë nga ana e tij ndryshime në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit. Përfliten një sërë emrash që pritet të transferohen ose largohen nga drejtimi i disa komisariateve apo Drejtorive Vendore në qarqe dhe në rrethe përfshirë edhe Tiranën.
Ditën e martë Gledis Nano nis një tur takimesh në gjithë vendit me drejtuesit e rendit. Të parin thonë burime do ta realizojë në Korçë dhe më pas në drejtoritë e tjera të vendit. Në fokus të takimeve do të jetë performanca e policisë në luftën kundër krimit ndaj jetës, kultivimit dhe trafikimit të drogës dhe kontrollit të territorit. Në bazë të përfundimeve të këtyre analizave, do të ketë rrokadë të mundshme në varësi të performancës, ku drejtoria e Tiranës është ndër më të përfolurat.