Ish-drejtori i Policisë, Shemsi Prençi ka komentuar lëvizjet e fundit në Policinë e Shtetit. Teksa vlerësoi kreun e ri të policisë, Gledis Nanon, Prençi theksoi se emërimet e reja, më së shumti janë rokadë, pasi kemi të bëjmë me të njëjtët emra.
Sipas tij, Nanos duhet t’i jepet kohë, pasi ka marrë në drejtim një polici të shkatërruar nga politika.
“Ka një karrierë të pastër. Është trajnuar edhe në Amerikë. Mendoj se suporti është profesional dhe jo politik. Rrjedh nga një familje e oficerësh, babai i tij ka qenë oficer policie. Nga CV-ja i përmbush të gjitha standardet disa herë më mirë se paraardhësi i tij. Për fat të keq është në një fushë të minuar, në një polici të shkatërruar, për shkak të drejtimit politik.
Drejtori i policisë ka bërë një lapsus me emërimet kur tha se janë të përkohshme. Dihet se emërimet janë të përkohshme. Nuk ka drejtor të përjetshëm. Më shumë kemi të bëjmë rokadë emrash, më shumë sesa reformë në polici.
Gledis Nano vetë është frymë e re, por me emërimet e fundit është future në krizën e mosbesimit në radhën e policisë. Në Akademinë e Policisë ka oficerë me përgatitje dhe integritet të lartë”, tha Prençi.