Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, zhvilloi një takim të gjatë me Papa Franceskun të premten në Vatikan.
Vatikani tha se takimi privat mes dy figurave të famshme zgjati një orë e 15 minuta dhe më pas 15 minuta të tjerë u kaluan duke bërë fotografi e duke shkëmbyer dhurata në praninë e pjesëtarëve tjerë të delegacionit, si bashkëshortja e presidentit amerikan, Jill Biden.
Takimi i Papa Franceskut me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, në vitin 2017 kishte zgjatur vetëm rreth 30 minuta, ndërsa një takim me ish-presidentin tjetër, Barack Obama, në vitin 2014 kishte zgjatur rreth 50 minuta, shkruan Reuters.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë nuk u përmend tema e abortit. Aty thuhet se Bideni e falënderoi Papa Franceskun për mbrojtjen e të varfërve dhe të atyre që vuajnë nga uria, konflikti dhe përndjekja.
Takimi mes papës së parë amerikano-latin dhe presidentit të dytë katolik të ShBA-së u zhvillua në kohën kur në Kishën e Shteteve të Bashkuara po zhvillohet debat i ashpër rreth abortit, ku Bideni është nën trysni nga konservatorët për pozicionin e tij konfliktuoz në mosmarrëveshjen për të drejtat e abortit.
Presidenti, i cili rregullisht shkon në meshën javore dhe mban një fotografi të papës prapa tavolinës së tij në Zyrën Ovale, ka thënë se personalisht është kundër abortit, por se nuk mund t’i imponojë qëndrimet e tij si udhëheqës i zgjedhur.