Australianët shkatërrojnë ose humbin më tepër se 1,300 smartphone në ditë, ku arsyeja kryesore e dëmtimit të tyre është thyerja e ekranit. Ata kanë shpenzuar pothuajse $755 milionë çdo vit për një periudhë 5 vjeçare për t’i rregulluar ato, sipas të dhënave të grumbulluara nga Finder.
Tashmë, falë një ekipi shkencëtarësh në University of Queensland, ekranet e thyer të smartphone-ve do të jenë një problem i së shkuarës. Ky ekip ka arritur të krijojë një teknologji të re të ekraneve që përdoren në smartphone, tabletë apo TV që janë tepër të vështira për t’u thyer.
Inxhinieri Jingwei Hou tha se këto kërkime do të bëjnë të mundur që ekranet në të ardhmen të jenë të pathyeshme dhe të ofrojnë një kualitet mjaft të lartë të imazhit. “Problemi me të cilin ne përballemi çdo ditë është thyerja e ekraneve në smartphone. Vetëm unë kam thyer deri më tani 4 apo 5 herë ekranin e iPhone-it tim përgjatë vitit, gjë që më ka kushtuar.” tha Hou.
“Pas gjithë këtyre ngjarjeve unë mendova me veten ’A s’do të ishte mirë po të krijonim disa ekrane që janë më të fortë se këto ekzistues?’ Prandaj unë bashkë me ekipin filluam të kërkonim për të gjetur një zgjidhje për këtë problem.”
Studiuesit përdorën një mineral të quajtur perovskit, një kristal oksidi kalcium-titanium, për të krijuar ekranin “e pathyeshëm”. Mirëpo ai tha se gjatë testimeve ato zbuluan se nanokristalet e perovskitit ishin shumë të ndjeshëm ndaj dritës, nxehtësisë, ajrit dhe ujit.
“Prandaj ekipi ynë i inxhinierëve kimikë zhvilloi një proçes revolucionar të bashkimit të nanokristaleve në qelqin poroz. Perovskitet janë materiale tepër funksionalë, por për shkak të ndjeshmërisë së tyre të rritur ato duhet të futen brenda në xham.”