Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në njëvjetorin e arrestimit të ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kreut të PDK, Kadri Veseli, shkruan se Kosova është pafundësisht krenare me djemtë e saj patriotë.
Me anë të një postimi në mediat sociale, Krasniqi shprehet se Thaçi e Veseli bashkë me shokët e tyre çlirimtarë do ta shkruajnë fitoren e betejës së fundit, për t’u kthyer në shtëpi si heronj.
“Sot nuk janë këtu, por sot dhe përgjithmonë do të jenë historia e lavdishme e këtij vendi. Sepse, kurrë dhe nga askush nuk mund të ndryshohet historia jonë dhe as të tjetërsohet e vërteta e luftës sonë çlirimtare – e drejtë dhe e pastër qelibar.
Kosova është pafundësisht krenare me djemtë e saj patriotë, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, e me shokët e tyre çlirimtarë, që bashkë me gjithë popullin, ndërruan epoka dhe shkruan rrëfimin e jashtëzakonshëm e madhështor të mosnënshtrimit, të lirisë dhe të pavarësisë. E do ta shkruajnë edhe fitoren e kësaj beteje të fundit, për t’u kthyer në shtëpi si heronj”, është ky postimi i kreut të PDK.