Në Komisionin e Ligjeve është paraqitur sot Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të diskutuar mbi buxhetin e këtij institucioni për vitin 2022. Zv.kryetari i KLP Alfred Balla deklaruar se ky është viti më i keq për organin e prokurorisë. Mungesa e prokurorëve është thelluar tha ai pasi në të gjithë vendin janë 270 që në detyrë kur organika është 341.
“Numri i prokurorëve që po shteron është problem edhe për KLP. Ky është viti më i keq për organin e prokurorisë, nga statistikat janë rreth 71 prokurorë të shkarkuar 71 të konfirmuar, 15 prokurorë që kanë hequr dorë dhe pastaj daljet në pension dhe kërkesat njerëzore, në total numri i prokurorë në gjithë vendin është 270 që janë në detyrë kur organika është 341, pra shikohet një thellim në mungesën e burimeve njerëzore, prokuroria është në hall. Mbase miratimi i hartës së re gjyqësore të bëjë njëfarë rregullimi. Gjendja do jetë më keq deri në mot, e kam ngritur zërin, ua them edhe juve”.
Ai ka dhënë një koment edhe në lidhje me hartën e re gjyqësore.
“Në lidhje me hartën gjyqësore, ne si KLP deri tani s’na është marrë asnjë lloj mendimi nga KLGJ , deri tani na është thënë që ne do jemi pjesë pasi të përgatitet një draft. Është e domosdoshme ta japim një mendim. Hetimi penal është ai që furnizon edhe gjykatat. As prokurori i përgjithshëm mesa di un nuk është pyetur. Presim që ministria e drejtësisë dhe KLGJ të na japë draftin dhe ne të japim mendimet tona, për ndarjen gjyqësore dhe për hartën gjyqësore, kush ia vlen të shkrihet dhe kush nuk ia vlen. Deri tani jemi në pritje që të japim një përgjigje”, shtoi Balla.