Një muaj e gjysmë pasi Arben Vitia ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës ka emëruar Rifat Latifin ministër të ri të kësaj ministrie. Latifi është kirurg në Qendrën Mjekësore, Westchester, New York.
Kirurgu Rifat Latifi është emëruar ministër i Shëndetësisë. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti në një konferencë që ka mbajtur për mediat.
“Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës posa kam nënshkruar vendimin për ministrin e ri të Shëndetësisë. Ministri i ri i Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës do të jetë profesor doktor Rifat Latifi”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se Latifi të dielën ka ardhur në Prishtinë nga New York’u. Sipas tij, ai ka kontribuar në vazhdisi në promovimin e shëndetësisë në Kosovë.
“Ai erdhi pardje nga New Yorku në Prishtinë. Ai ka studiuar për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe pastaj ka përfunduar dy specializime, atë për kirurgji të përgjithshme dhe traumatologji e reanimacion në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përvoja e tij akademike dhe profesionale përfshinë qendra sptialore dhe universitete me emër në disa shtete federale të SHBA’ve”, ka shtuar ai.