Ka mbërritur në Kuvend projektligji që synon të formalizojë kultivuesit dhe grumbulluesit e duhanit në vend, pasi rreth 25-30% e tyre janë ende informalë.
Kjo është pranuar edhe nga vetë Financat, pasi sipas relacionit të draftit humbjet për buxhetin e shtetit përllogariten në rreth 80 milionë euro çdo vit, për shkak të shmangies nga taksa t që bëjnë subjektet.
Projektligji parashikon ngritjen e një skeme nga Ministria e Bujqësisë e cila do të funksionojë mes kultivuesve dhe grumbulluesve, diçka që pritet të rregullohet përmes një kontrate të shkruar mes palëve.
Sipas draftit, asnjë fermer që nuk ka kontratë me një grumbullues-përpunues të duhanit nuk do të lejohet që ta kultivojë atë. Mbjellja në ngastrat e tokës do të bëhet vetëm pas nënshkrimit të kontratës apo pajisjes me kartelën personale, në të kundërt ligji parashikon edhe ndëshkime me gjoba me vlerë 100 mijë lekë.
Po kaq gjoba varion edhe për grumbullues-përpunuesit që lidhin kontratë me më shumë se një kultivues që ka lidhur kontratë me një grumbullues-përpunues tjetër për të njëjtin lloj duhani dhe sipërfaqe toke.
Ndërsa ndëshkimet përshkallëzohen dhe rriten më tej për prodhuesit dhe përpunuesit pa licencë për të cilët gjoba shkon në 1 milionë lekë.
Për raste specifike kur konstatohen disa shkelje paralelisht, drafti parashikon edhe heqjen e licencës apo sekuestrimin e makinerive apo mallit të subjekteve.
Shqipëria është një ndër vendet që importon duhan dhe produkte të tij në sasi të mëdha. Sipas të dhënave të Instat, gjatë vitit të kaluar vendi importoi nga jashtë 110.9 miliardë lekë në total produkte ushqimore, pije dhe duhan.
Top Channel