Deputeti i PD, Agron Shehaj ka deklaruar për mediat në përfundim të procesit të verifikimit të firmave të delegatëve të njësive 5 dhe 7 në Tiranë se formularët janë të saktë. 

Ai tha se Kuvendi i 11 dhjetorit është legjitim dhe ai do të marrë pjesë. Shehaj saktësoi se mbi 58% e delegatëve të degës 5 dhe 56% e atyre të degës 7, kanë firmosur për thirrjen e Kuvendit Kombëtar. 

Nga verifikimet që ka bërë Agron Shehaj me telefon, ka rezultuar se 98% e delegatëve firmëtarë kanë konfirmuar se kanë plotësuar formularin.

“Më shumë se 56 % e delegatëve të degës 7 dhe 58 % e degës 5 kanë firmosur për Kuvendin në datën 11 dhjetor. Kuvendi i datës 11 është legjitim dhe jam i detyruar të shkoj pasi demoraktët e kanë thirrur dhe unë do shkoj sipas kërkesës së tyre. Kush ka nevojë për të vërtetën të shkojë dhe ti verifikojë. Nuk kam asnjë koment për këto deklarata pasi vendosa të shkoj t’i verifikoj firmat për të parë nëse janë të vërteta dhe ashtu dolën. Secili bën punën e vetë kush do të vërtetën le të vijë dhe të verifikojë firmat siç bëra unë. 98% e delegatëve që kanë firmosur, me të cilët arrita të flisja, konfirmuan që kanë plotësuar formularin”, u shpreh deputeti Agron Shehaj.