Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela me anë të një udhëzimi sugjeron të gjitha prokurorive të  rretheve që të tregohen më të butë me të miturit në mënyrë që ti japin atyre mundësinë për rehabilitim, si dhe të tregohen të ndjeshëm, ku përveç moshës së tyre të vlerësohen edhe rrethanat e tjera sociale.

Referuar udhëzimit të kryeprokurorit Çela, i cili tashmë është në tryezën e të gjithë drejtuesve të prokurorive të vendit thuhet se prokurorët kur konstatojnë vepra penale të konsumuara nga të mitur, duhet që gjatë dënimit apo vlerësimit të masave të sigurisë të vlerësohen të gjitha rrethanat.

Në udhëzim thuhet se përpara paraqitjes së një kërkesë prokurorët duhet që të vlerësojnë rrezikshmërinë e të miturit që ka kryer veprën penale, si dhe gjëndjen e tyre ekonomike apo sociale.

“Prokurori duhet të mbështes parimisht dënimet alternative për ti dhënë shansin një të mituri për rehabilitim dhe riintegrim në shoqëri”, thuhet në udhëzim.

Në nenin 7 të këtij udhëzimi thuhet se gjatë marrjes në pyetje prokurori dhe Oficeri i policisë Gjyqësore, duhet që ti garantojë të miturit të drejtën për tu dëgjuar apo për ta vënë atë në dijeni që edhe mund të heshtë.

Gjthashtu në pikën 3 të këtij neni thuhet se të miturve gjatë marrjes në pyetje duhet ti sigurohet një ambient miqësore. Ndërsa përsa i përket masës së siggurisë “arrest me burg”, në udhëzim thuhet se ajo caktohet vetëm në rastet kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme.

Sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2020, rezulton se nga 525 të mitur nën hetim, vetëm për më pak se gjysmën  prej tyre është marrë masë alterative për ta shmangur nga dënimi penal.