Nga foltorja e Kuvendit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha hodhi akuza të forta ndaj qeverisë për pastrimin e parave të pista, ndërsa po diskutohet projketligji për këtë fenomen. Basha solli në vëmendje përgjimet e autoriteteve italiane, që përfshijnë zyrtarë të lartë në vend me organizata të rrezikshme të krimit.

Kryedemokrati tha ndër të tjera se për 3 vjet janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro. “Nuk luftojnë dot pastrimin e parave, këta që janë kapur në përgjimet e antimafias me Ndragheta e Cosa Nostra,” theksoi Basha.

Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës:

Kjo pseudo-mazhorancë, anëtarë të së cilës prej disa vitesh shfaqen rregullisht në përgjimet e antimafias italiane e jo vetëm, ka sjellë në këtë seancë një projektligj me disa ndryshime mbi ligjin e parandalimit të pastrimit të parave.

Te të gjithë ata që e njohin mirë realitetin e përditshëm të Shqipërisë, qofshin shqiptarë apo të huaj, ata e që kanë parë e shohin përditë se si gjatë sundimit të kësaj pseudo-mazhorance, institucionet u gangsterizuan, llumi i shoqërisë u fut lirshëm në parlament e bashki, krimi i organizuar ka sekserët e tij në nivelet më të larta të qeverisë, në mendjet e të gjithëve.  Pra lind rrufeshëm pyetja: a mund të jenë po këta që propozojnë masa për parandalimin e pastrimit të parave?

A mund të jenë këta që lejuan me urdhër politik kanabizimin e Shqipërisë, dhe shndërrimin e vendit në Kolumbinë e Europës dhe prodhuesin e parë të kanabisit në kontinent, sipas OKB-së, të njëjtëtë që mund të ndalojnë pastrimin e parave?

A mund të jenë këta që lejuan që shifrat marramendëse të eurove që prodhoi trafikimi masiv i drogës, të pastroheshin pa kokëçarje në kryeqytet dhe në zonat më eksluzive të Shqipërisë, që janë edhe më të mbikqyrurat, frenuesit e këtij fenomeni?

A mund të jenë ata që kapitenin më të suksesshëm të betejës me drogën, kanë ministrin e parë të brendshëm të akuzuar për trafik narkotikësh, garantues të luftës kundër pastrimit të parave të pista?

A mund të jenë këta që në janar të këtij viti dolën në përgjimet e antimafias së Katanzaros, me titujt e tyre si kryeministër, ministra apo kryetarë bashkie, ku pjesëtarë të një nga organizatave mafioze më të rrezikshme në botë, Ndraghetës, bënin plane për leje ndërtimi korruptive, tendera dhe koncesione, dhe llokma të përcaktuara qartë e me përqindje të majme, garantët që paratë nuk do të pastrohen më në Shqipëri?

A mund të jenë këta që jo 2 javë më parë dolën përsëri në përgjimet e antimafias italiane, këtë herë me një tjetër organizatë mafioze, po aq të rrezikshme sa Ndragheta, Cosa Nostra, si garantët e një operacioni të pastrimit të parave, për të cilin merrej si i mirëqenë bashkëpunimi i zv. kryeministrit dhe drejtuesit të Drejtorisë të Pastrimit të Parave, autorët e iniciativave parandaluese?

A ka nevojë ta themi përgjigjen që është ne majë të gjuhës së çdo shqiptari?

Përgjigjja është jo.

Këto nuk janë vetëm cilësime të Partisë Demokratike, por janë të evidentuara nga raportet ndërkombëtare të Këshillit të Europës dhe Departamentit Amerikan të Shtetit.

Shqipëria është renditur nga MONEYVAL, struktura e përhershme e Këshillit të Europës, në listen gri të vendeve me problem të mëdha në luftën kundër pastrimit të parave. Sipas Indeksit të Bazelit, këtë vit rreziku për pastrim parash është rritur në vendin tonë, duke humbur 28 vende në krahasim me vitin e shkuar, më të rrezikuarit në Rajon dhe Europë.

Ndërsa sipas Departamentit Amerikan të Shtetit “Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare”.

Vitin e kaluar Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar, projekt i finaciuar nga GIZ-i gjerman dhe ministria e jashtme Norvegjeze, nxorri në pah skemën me të cilën financohen qiellgërvishteset që i kanë rrëmbyer diellin rrugëve të Tiranës, ku thuhet se  “Rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017- 2019 në kryeqytet, nuk justifikojnë burimet e tyre financiare, ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3 vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro”.

1.6 miliardë euro!

Një shumë e frikshme që mban në këmbë ekosistemin ku gjallon krimi dhe korrupsioni, në të cilin ndërthuren interesat e politikanëve të korruptuar, oligarkëve të panginjur dhe botës së krimit, që e kanë kthyer Shqipërinë në një lavatriçe gjigande të pastrimit të parave, e cila nuk dëmton vetëm ekonominë, por edhe trashëgiminë, kujtesën historike dhe hapësirën publike, e cila, si gjithçka tjetër nën sundimin tuaj antiqytetar dhe antikombëtar, kthehet në plaçkë të fare pak njerëzve.

Madje kjo lavatriçe nuk ndaloi së punuar edhe në ditët më të vështira për shqiptarët, gjatë momentit më kritik të pandemisë. Gjithë ekonomia ndali, por ndërtimi pasoi një rritje të pashpjegueshme. Po aq çuditërisht në një vend të varfëruar dhe të plakur, ky shpërthim ndërtimesh nuk vepron sipas rregullave të kërkesë-ofertës. Çmimi vetëm rritet, madje kalon edhe kryeqytetet e vende

g.v/abcnews.al