Pas 12 vitesh në krye të FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit), Jean Todt është pranë rikthimit te Ferrari. Menaxheri i njohur, që shkroi historinë e Formula 1 me “kokëkuqen”, duke triumfuar me Michael Schumacher, pritet të jetë vitin tjetër sërish pjesë e makinës italiane, si pjesë e stafit drejtues.
Sipsa mediave italiane, presidenti i Ferrarit, John Elkann, ka gati ofertën për francezin, që do të ketë detyrën e super-konsulentit. Një detyrë si ajo që mbante dikur edhe Niki Lauda te Mercedes. Jean Todt ka qenë në krye të Ferrari nga viti 1993 deri në vitin 2009, duke qenë protagonist absolut me menaxhimin e tij.
Duket se ka qenë vetë Todt ai që ka shprehur dëshirën të rikthehet në Maranello, duke qenë se djali i tij Nicolas është menaxheri i pilotit Charles Leclerc. Te Ferrari e kanë mirëpritur këtë interesim të Todt, i gatshëm të mbështesë drejtorin sportiv aktual Mattia Binotto, për ta rikthyre “kokëkuqen” në lavdinë e dikurshme.