SEKUESTROHEN 48 KG KANABIS NË ELBASAN,

4 TË ARRESTUAR Transport me “Audi” dhe “Volkswagen” Sekuestrohen 48 kg lëndë narkotike kanabis në Elbasan. Në pranga kanë rënë katër personat që transportonin lëndën narkotike, me qëllim shitjen e saj.”Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policise Elbasan, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar “DRAGOT 2021″, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: Sejdi Metani, 25 vjeç, Mikel Halilaj, 22 vjeç, Flurat Ymeraj, 25 vjeç, banues në Vlorë dhe Pavllo Bala, 22 vjeç, banues në fshatin Pilur, Himarë” njoftoi policia. Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, gjatë operacionit, në rrugën që lidh Lushnjën me Belshin, në Dragot, bënë lokalizimin dhe bllokimin e automjeteve me të cilat dyshohej se transportohej lënda narkotike. Nga kontrolli fizik i personave të arrestuar dhe mjeteve tip ”Audi A6” dhe “Volksëagen” u gjet lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, me peshë 48 kilogramë, 1 thikë dhe 3 aparate celulare. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, 3 aparate celulare, 1 thikë dhe 2 automjetet. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.