45 anëtarë të stafit arritën të dilnin nga ndërtesa, njëri prej të cilëve duhej të transportohej me helikopter në një spital lokal për trajtim.
Të paktën gjashtë persona humbën jetën kur një magazinë e gjigantit të tregtisë elektronike Amazon u shemb për shkak të tornadove që goditën pjesën qendrore dhe jugore të SHBA-së, tha kreu i departamentit të zjarrfikësve të Edwardsville (Illinois).
“Ne kemi konfirmuar se 45 anëtarë të stafit ishin në gjendje të largoheshin nga ndërtesa, njëri prej të cilëve duhej të transportohej me helikopter në një spital lokal për trajtim, ndërsa gjashtë u vranë,” tha James Whiteford në një konferencë shtypi.
Kreu i zjarrfikësve në qytetin me 25 mijë banorë ka sqaruar gjithashtu se operacioni i kërkim-shpëtimit është ndërprerë më herët gjatë ditës së djeshme dhe se kërkimi tashmë ka hyrë në fazën e kërkimit të kufomave.
Pritet që numri i viktimave të rritet në orët në vazhdim pasi operacioni nuk ka përfunduar dhe pjesa më e madhe e çatisë është shembur bashkë me muret rrethuese.
Numri i të vdekurve nga tornadot dhe shirat e dendur në pesë shtete të SHBA-së është rritur në të paktën 83. Ekziston frika se do të kalojë 100 viktima.