Ministri i ri i Brendshëm i Austrisë ka hedhur poshtë akuzat për antisemitizëm nga figura të larta hebreje në vend. Një Letër e Hapur – e nënshkruar edhe nga një laureat i Nobelit në letërsi – bënte thirrje që Gerhard Karner të hiqej nga detyra.

Karner u emërua Ministër i Brendshëm vetëm një javë më parë kur paraardhësi i tij Karl Nehammer u bë kancelar i ri i Austrisë.

Ai akuzohet se ka bërë komente antisemitike gjatë një fushate zgjedhore rajonale mbi 13 vjet më parë, kur ai ishte një zyrtar rajonal me Partinë Popullore Austriake konservatore.

Sipas mediave gjermane, Karner dikur akuzoi socialdemokratët e Austrisë se punonin “kundër vendit me zotërinj nga Amerika dhe Izraeli” dhe se po kryenin një “fushatë të ndyrë zgjedhore”.

Një Letër e Hapur nga një grup që përfshin studentë hebrenj, akademikë dhe viktima të Holokaustit ka shprehur shqetësimin për emërimin e tij dhe thotë se “dimensioni antisemitik i këtij komenti është i dukshëm”.

“Ne jemi të bindur se ky person është krejtësisht i papërshtatshëm për postin Ministrit të Brendshëm dhe i bëjmë thirrje qeverisë që ta vërë sigurinë tonë në duart e politikanëve të moderuar”, thuhet në letër.

Karner tha në një deklaratë se lufta kundër antisemitizmit dhe çdo forme ekstremizmi ka qenë një “shqetësim thellësisht personal” i tij për dekada. Ai shprehu keqardhjen për komentin, por ka hedhur poshtë akuzat për antisemitizëm.