Shqipëria do të jetë një grup me Islandën, Rusinë dhe Izraelin në Nations League. Trajneri Edy Reja, pasi mësoi emrat e rivalëve, foli për faqen e FSHF: “Doja të evitoja Serbinë, pasi është sigurisht një skuadër shumë e fortë. Edhe Rusia është shumë e fortë dhe doja ta evitoja, por është e qartë që një prej këtyre skuadrave të forta do të na binte në grup.
Islandën nuk e njohim mirë, pasi ka ndryshuar shumë dhe ka bërë një ekip me shumë futbollistë të rinj. Është një grup i vështirë, ashtu si të gjithë të tjerët në Ligën B, por ne jemi të bindur që mund të bëjmë mirë.
Më vjen keq vetëm sepse ka disa transferta të largëta si Rusia e Islanda, por uroj që të bëhet kalendari dhe të mos i kemi radhazi këto udhëtime. Të shohim, por në tërësi jam i kënaqur. Objektivi primar është të mos dalim të katërtit dhe më pas do të shohim se deri ku do të shkojmë”.
“Do të nisim në qershor dhe do të shohim, pasi unë po ndjek skuadrat dhe po mbaj shënime, por nuk e di se kush është më e forta dhe kë duhet të kemi frikë. Duhet t’i vlerësojmë më së pari dhe pastaj të shohim se deri ku mund të shkojmë”.
“Luhen katër ndeshje në harkun e pak ditëve dhe sigurisht që askush nuk mund t’i përballojë të gjitha. Thënë këtë, duhet të ndryshojmë komplet skuadrën nga ndeshja në ndeshje, ndaj duhet të studiojmë një strategji për mënyrën si do t’i përballojmë këto sfida, por pasi të njohim edhe kundërshtarët.
Nuk e di si do të arrijmë në qershor dhe çfarë forme do të kenë futbollistët, sepse mbarojnë kampionatet dhe disa do të jenë të lodhur. Tani dua të luajnë, por deri në qershor do të më bëhej qejfi që të mos luanin shumë, sidomos futbollistët më të rëndësishëm”, tha trajneri italian i Shqipërisë. / abcnews.al