Teksa varianti i ri i COVID, Omicron po përhapet në gjithë botën, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka bërë thirrje njerëzve që të anulojnë disa plane për pushime, në mënyrë që të mbrojnë shëndetin publik.
“Një organizim i anuluar është lajm më i mirë sesa një jetë e shuar”, ka deklaruar shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke thënë se duhen marrë “vendime të vështira”.
“Në disa raste, kjo gjë do të nënkuptojë anulimin apo shtyrjen e aktiviteteve”, ka thënë ai.
Deklaratat e tij kanë ardhur pasi ekspertët e shëndetësisë kanë thënë se Omicron tani është variant dominues në Shtetet e Bashkuara. Shefi i OBSH-së ka theksuar se ka të dhëna se varianti Omicron është duke u përhapur shumë më shpejtë sesa Delta.
Një numër shtetesh, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, kanë ashpërsuar kufizimet për pandeminë dhe kanë rikthyer kufizimet në udhëtime, me qëllim luftimin e variantit të ri. Shtëpia e Bardhë ka thënë të hënën se presidenti amerikan, Joe Biden, nuk planifikon “të mbyllë vendin”.
Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Departamenti i Shtetit kanë këshilluar amerikanët të mos udhëtojnë në tetë vende, përfshirë Spanjën, Finlandën dhe Libanin.Festimet e Vitit të Ri në sheshin Trafalgar të Londrës janë anuluar “në interes të sigurisë publike”, tha kryebashkiaku Sadiq Khan. Omicron i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut në nëntor është klasifikuar si “shqetësues” nga OBSH.