Një ditë pas Sali Berishës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie Gazmend Bardhi, do të paraqiten në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar atë që ndodhi në protestën e thirrur prej ish-kryeministrit, më 8 janar para selisë blu.
Burime bëjnë të ditur se të dy kanë konfirmuar se do të paraqit vetë në prokurorinë e Tiranë. Po ashtu bëhet e ditur se i pari do të dëshmojë Gazment Bardhi i cili pritet të paraqitet në Prokurori në orën 11:00. Ndërkohë një orë pas tij, 12:00, do të jetë kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ai i cili do të shkojë në Prokurori për t’u marrë në pyetje lidhur me atë që ka ndodhur në protestën e dhunshme më 8 janar, të iniciuar nga Sali Berisha kundër tij.
Sjellim në vëmendje, se ditën e djeshme ishte Sali Berisha i cili u përgjigj për 3 orë pyetjeve të Prokurorisë, lidhur me atë që kishte ndodhur. Pas marrjes në pyetje, Berisha pati një deklaratë për mediat duke hedhur akuza ndaj Bashës se mbështetës të tij ishin të armatosur. Teksa e cilësoi Bashën si peng të Edi Ramës, bëri një paralajmërim për protesta të mëdha. Mes të tjerash Berisha njoftoi edhe një ndryshim të strategjisë së përdorur, duke iu rikthyer edhe një herë takimeve me qytetarët.
Dyer të shkatërruar, dritare të thyera, gurë e shkopinj, kjo është panorama që la pas 8 Janari, ndërsa pas kërkesës nga deputetët demokratë që ishin brenda selisë, u desh ndërhyrja e policisë për të shpërndarë turmën e irrituar që kërkonte largimin me forcë të Lulzim Bashës.
Dy ditë më parë Gjykata la të lirë 34 personat e arrestuar më 8 janar, ku vetëm 5 prej tyre u lanë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndërsa pjesa tjetër ka detyrimin të paraqiten në polici.
23 prej të arrestuarve ishin pjesë e grupimit të Sali Berishës që rezultoi me një dhunë ndaj godinës së PD-së. Ndërkohë 11 të tjerë ishin persona që përkrahën Bashën dhe iu kundërpërgjigjën sulmeve nga brenda selisë.
Protesta e së shtunës kishte si objektiv marrjen e kontrollit të selisë së Partisë Demokratike nga ana e Berishës dhe mbështetësve të tij. Dhuna e shpërthyer u frenua vetëm nga ndërhyrja e forcave të policisë.
Ngjarjet e 8 janarit bënë që kryesia e PD-së të vendoste përjashtimin e Berishës nga anëtarësia e kësaj force politike. 9 deputetë të tjerë po ashtu u përjashtuan, një masë që u shtri dhe ndaj 19 mbështetësve të ish kryeministrit, anëtarë të Komisionit të Rithemelimit