Kryeqyteti Tirana tashmë është kthyer në një kantier ndërtimi dhe aktiviteti i ndërtuesve parashikohet që edhe këtë vit të jetë i garantuar. Ndërtuesit pohojnë se në vitin 2021, për shumicën e kantiereve të reja të ndërtimit, përfundoi deri në 10% të volumit të punës. Vijimi i punimeve për këtë vit në këto subjekte do të shtojë aktivitetin e sektorit.
Shoqata e Ndërtuesve thotë se vazhdimi i projekteve për programet e rindërtimit do të jetë një tjetër arsye që do të ndikojë në shtimin e volumit të punës. Zgjerimi i sektorit të ndërtimit pritet të japë efekte pozitive edhe në zinxhirin e nënsektorëve të tjerë. Rritje të volumit të kontratave këtë vit konfirmohet edhe nga studiot arkitekturore për arredimin e shtëpive.
Administratorja e kompanisë “GBarchs Architects”, Gladiola Balliu, pohoi për “Monitor” se kërkesa parashikohet në rritje për arredimin e shtëpive, kryesisht të vilave që po ndërtohen në zonat bregdetare, më shumë në Vlorë dhe në rrethe nga emigrantët.
Apartamentet, rritja e çmimeve do të vijojë edhe në 2022
Rritja e çmimeve të apartamenteve do të vijojë edhe për vitin 2022. Në vitin 2021, brenda vijës së verdhë të ndërtimit në kryeqytet, nuk gjeje çmime nën 1,000 euro/m². Ndërtuesi Hajredin Fratari pohoi për “Monitor” se në 2022, çmimet e apartamenteve do të rriten 5% për shkak të shtimit të kostove të ndërtimit nga shtrenjtimi i materialeve, tokës, mungesës së punëtorëve të cilët kanë emigruar jashtë Shqipërisë.
“Zhvillimi i lejeve të reja në Tiranë, për shumicën e ndërtimeve, rezulton të ketë përfunduar 10% e objektit. Vijimi i zhvillimit të lejes ndërtimore do të garantojë punën edhe për 2-3 vitet e ardhshme për sektorin e ndërtimit. Pavarësisht se oferta do të rritet, çmimet nuk do të shënojnë rënie.
Për 2022, pritet që çmimet të rriten 5%, për shkak të shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit. Një ndërtues për blerjen e 1 ton hekuri, para 10 vjetësh paguante 400 euro, ndërsa sot paguan 850 euro. Për sektorin do të vijojë të mbetet problem edhe mungesa e punëtorëve të ndërtimit, pasi shumica e tyre po emigrojnë në Itali dhe Gjermani.