Një prift në Greqi dyshohet se ka përdhunuar një të mitur 7 herë në kishën të cilën e mitura e frekuentonte shpeshherë.
Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që të mitur të tjerë në katekizmin e tempullit të shenjtë të Kato Patisias, të jenë vikima të priftit 37-vjeçar.
Mediat greke shkruajnë se gjithçka ka nisur nga viti 2019, deri në maj 2020, dhe prifti e ka dhunuar gjithsej 7 herë vajzën e mitur duke e kërcënuar vazhdimisht se nëse do të hapte gojën do i tregonte familjes së saj fotot dhe videot që kishte.
Viktima arriti të thyente heshtjen e saj nëntorin e kaluar, kur pa një film që fliste për abuzimin seksual. 37-vjeçari iu prezantua vajzave të mitura si spiritualist, rrëfimtar dhe mentor dhe u kërkoi të diskutonin me të gjithçka dhe problemet e tyre personale për të gjetur bashkë një zgjidhje. Në këtë mënyrë ai u afrohej më shumë viktimave të tij dhe kalonte kohë me ta, pa shkaktuar dyshime në mjedisin e tyre familjar.
“Në fytyrën time do të shihni babanë tuaj dhe mësuesin tuaj.”
Këto fjalë mësohet se janë përsëritur nga prifti, sipas deklaratës së 17-vjeçares. Nëntorin e kaluar, kur ajo dhe miqtë e saj panë një film për vajzën e re duke u abuzuar seksualisht, ajo shpërtheu në lot. Ajo më pas u ka rrëfyer shoqërisë së saj tmerrin që kishte kaluar në duart e 37-vjeçarit dhe rrëfimin tronditës më pas i kanë përcjellë nënës së saj. Autoritetet u njoftuan për veprimin e neveritshëm të priftit dhe e vunë menjëherë nën veprim. E mitura ka përshkruar me detaje aktet e tmerrshme nga prifti 37 vjeçar i kishës së Kato Patisias i cili është i martuar dhe baba i tre fëmijëve.
“Kur fillova të shkoja në shkollën e mesme, nuk mora pjesë më në katekizëm. I thashë mamit që nuk doja të shkoja më dhe ishte periudha kur filloi pandemia dhe isha e vetme në shtëpi. Qaja çdo ditë nga frika, nuk dija çfarë të bëja. Ky njëri më përdhunoi jo vetëm trupin por edhe shpirtin. Mendova se isha vetëm në këtë situatë. Por kur fola me shoqen time të ngushtë, kuptova se pranë vetes kisha edhe njerëz që mund të më ndihmonin.”, ka thënë e mitura në dëshminë e saj.
Pasditen e së enjtes policia ka vënë në pranga 37-vjeçarin, ndërsa i ka kontrolluar shtëpinë në Agios Panteleimonas, nga ku janë sekuestruar celularë dhe kompjutera. Mediat greke raportojnë se policia ka zbulur gjithashtu që ai i kishte dërguar vajzës foto të pahijshme përmes rrjeteve sociale dhe i ka kërkur asaj të bëjë të njejtën gjë. Viktima e cilësoi 37-vjeçarin si manipulues, ngulmues dhe agresiv. Ajo shtoi se këto sjellje i shkaktuan frikë e për pasojë nuk iu drejtua menjëherë autoriteteve.