Ministrja e Marrëdhënieve për Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar në Kuvend për marrëveshjen e nënshkruar ditën e sotme mes kryetarit të PD, Lulzim Basha dhe kryetares së LSI, Monika Kryemadhi.
Spiropali e ka konsideruar si listë të mercenarizmit që nuk mund të shoqërohet me himnin e flamurit. Në seancën plenare, Spiropali tha se lista e tyre është për të vënë duart në kokë dhe nuk hezitoi të ironizonte Bashën duke thënë se “kandidati për kryeministër është aeroplan pa bisht”.
Spiropali: Ne nuk mund të kontrollojmë as të dimë orekset e opozitës jashtëparlamentare. Sa i përket identifikimit elektronik të zgjedhësve, do ishte e arsyeshme që të bëhej dhe një identifikim i të zgjedhurve. Nga ajo që po na shohin sytë me koalicionin opozitar, nuk dimë ç’të themi më.
E para se nuk është koalicion dhe nuk lejohet por është thjesht një listë që e klanë zaptuar dhe i kanë zënë vendin demokratëve që duhet të ishin aty, shumë më dinjitozë. Këta emra, Mona, Nardi, Shpëtimi, Fatmiri, Agroni e një tufë tjetër që pretendojnë se do ndryshojnë me rrënjë politikën dhe do kthejnë Shqipërinë nga e para janë të njëjtët që Shqipërisë ia kanë bërë zi në 30 vite.
Prandaj i kaluam në Kuvend ato ndryshime në mënyrë që vargoni i partive të mos ishte i pafundëm dhe mos të ngrihet në piedestal parimi “KÇK” por kjo listë e klientelizmit të pastër, e mercenarizmit të kulluar nuk mund të shoqërohet me himnin e flamurit sic bënë Luli dhe Monika. Nënshkruan një marrëveshje imagjinare mes tyre, vunë himnin e flamurit dhe thanë Shqipëria me ne do shkojë aty ku ishte se Luli dihet që ishte me parimin e Budës, nëse do të shkosh diku mos lëviz nga vendi, por që do kishim 2 vjet luftë në Kuvend, do shkatërroheshin institucionet, do tentohet që të pengohet integrimi i vendit që të kthehen në këtë listë, është për të vënë duart në kokë, është për tu tallur me njerëzit.
Kush do i ndërtojë 4500 apartamentet, shtëpitë e banimit, lagjet e reja, infrastrukturën nga rindërtimi, Shpëtimi? Kush do i vaksinojë shqiptarët, kush do i sjellë 500 mijë vaksina deri në fund të vitit? Nardi? Kush do sjellë turistë, Agroni? Po infrastrukturën, kush do i ndërtojë aeroportet, Mona? Dhe i duket çudi këtyre se kur ke një kryetar partie dhe kandidat për kryeministër që është aeroplan pa bisht, çfarë të duhet pista, s’të duhet fare pista, as aeroportet. Po votën e emigrantëve pse e pengojnë? Çfarë kanë me votën e emigrantëve xhanëm?
Top Channel