Për të evituar ngjarjet tragjike

Ndërsa gjatë stinës së Dimrit zhvillohen aktivitete të shumta të apasionuarve pas turizmit të aventurës nuk kanë munguar për fat të keq edhe incidentet dhe aksidentet e rënda , madje edhe me viktima.Aksidenti tragjik më i fundit ishte ai i tri javëve më parë në Malin e Munellës ku fatkeqësisht humbi jetën alpinisti Ndoc Mula si dhe mbetën të plagosur gazetari Alfred Lela dhe dy të tjerë.Nisur nga kjo situatë problematike këtë prag fundjave është zhvilluar Konferenca e Parë e Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor (FSHALTM ) .

Në këtë Konferencë kanë marrë pjesë edhe mjaft aktorë të tjerë që veprimtarinë e punës së tyre e kanë në fushën e Alpinizmit dhe Turizmit Malor. Sipas Artur Gunit , President i Federatës Shqiptare të Alpinizmit Turizmit Malor është momenti dhe koha që nga aksidenti i fundit tragjik i ndodhur kohët e fundit në Malin e Munellës në Pukë të nxjerrim mësime për të ardhmen për të marrë të gjitha masat e duhura për të garantuar jetën e gjithsecilit gjatë ngjitjeve në Mal dhe kudo.

Gjatë punimeve të kësaj konference pjesa më e madhe e diskutimeve ju kushtua çështjes së rritjes së Sigurisë gjatë zhvillimit të aktiviteteve në Mal,nëpërmjet respektimit të Standarteve dhe Disiplinës .

Sipas specialistëve dhe ekspertëve të ngjitjeve në lartësi ka ardhur koha që ti kushtohet rëndësi jo vetëm formimit teorik por edhe trajnimeve në terren për Udhërrëfyes, Guida Malore e Alpine , Shtigjet malore, etj.

Sipas Gunit mjaft e rëndësishme është që aktivitetet që lidhen me Turizmin Malor të kenë protokolle të rrepta dhe të drejtohen nga profesionistë tejet të kualifikuar dhe me përvojë.Turizmi i aventurës po tërheq gjithnjë e më shumë turistë drejt Shqipërisë, duke ndjekur trendet e kësaj industrie në botë.Shqipëria ka burime të pafundme natyrore, të cilat kanë filluar të tërheqin ndjeshëm vëmendjen e të huajve së fundmi dhe Udhërrëfyesit Turistik duhet të ruajnë standatet të larta në ofrimin e shërbimit në mënyrë që të përthithin sa më shumë turistë vendas dhe të huaj, por edhe të garantojnë siguri maksimale në këto udhëtime në çdo ditë të vitit .