Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë ka bërë me dije se janë njoftuar nga autoritetet e policisë greke, se është lejuar lëvizja e mjeteve e tonazhit të rëndë (kamionë) në drejtim të Greqisë. Ndërsa në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, aktualisht vijon të mbetet i ndaluar kalimi i tyre.
Një natë më parë autoritetet maqedonase dhe ato greke njoftuan se do të bllokohej lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë në këto 2 pika kufitare për shkak të reshjeve të dendura të dëborës si dhe prezencës së akullit në rrugë. Duket që situata është e përmirësuar në pikën kufitare të Kapshticës, ndërsa autoritetet greke kanë lejuar kalimin e kamionëve gjatë ditës së sotme. Ende e bllokuar mbetet Qafë-Thana pasi reshjet e dëborës kanë vijuar dhe gjatë natës, ndërsa temperaturat kanë qenë në rënie.