TIRANË
Partia Demokratike inkurajon SPAK për hetime për skandalin e Kreut të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Deputetja e PD-së Dhurata Çupi tha sot nga selia blu se në vend që qeveria dhe FSHZH të fokusoheshin tek ndërtimi i infrastrukturës, furnizimi me ujë të pijshëm, energji të pandërprerë, pastrimi, restaurimi i objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike, vëmendja ishte tek krijimi i një menyje se çfarë duhej të servirej për të ngrënë në këto fshatra!
Pak ditë më parë SPAK nisi verifikimet për Kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agollin, për tenderin prej 500 mijë dollarësh dhënë kuzhinierit që punon me djalin e tij për një meny për projektin e 100 fshatrave.
Çupi ka publikuar pamjet nga rrugët e tre fshatrave që janë afër qendrës së se kryeqytetit, ku sipas saj nuk ka asnjë investim të ri. Deputetja e PD theksoi se “Ne inkurajojmë SPAK të çojë para drejtësisë çdo abuzues të taksave të shqiptarëve, faturat e të cilëve kanë bërë që shqiptarët të jenë ndër popujt më të varfër në rajon”.